Me interes të madh nga vizitorët dhe partnerët ndërkombëtarë, po vazhdon me sukses dita e dytë e Panairit të Turizmit në Stamboll, ku Struga po prezantohet denjësisht si një destinacion turistik me potencial të veçantë.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, së bashku me Kryetarin e Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, si dhe Denizhan Yılmazer, këshilltar për turizëm i Kryetarit të Ankarasë, zhvilluan takime dhe diskutime mbi mundësitë e bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe promovimit të përbashkët në fushën e turizmit.

Stenda e Strugës ka tërhequr edhe sot vëmendje të konsiderueshme, ndërsa paralelisht po promovohen edhe hotelierët nga Struga, të cilët iu përgjigjën ftesës së komunës duke kontribuar me materiale promovuese dhe duke prezantuar ofertën turistike, kapacitetet akomoduese dhe mikpritjen karakteristike të qytetit.
Pjesëmarrja në këtë panair përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërkombëtare dhe krijimit të perspektivave të reja për zhvillim turistik dhe ekonomik.
Struga vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të afirmohet si destinacion atraktiv në hartën turistike ndërkombëtare.



