Ka nisur zyrtarisht rikonstruksioni i segmentit rrugor nga Auto Kamp AS deri te lidhja me rrugën rajonale të Sateskës, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor për Struga që synon rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e mobilitetit urban.
Kryetari i komunës, Mendi Qyra, realizoi inspektim në terren me rastin e fillimit të punimeve, duke theksuar se avancimi i sigurisë rrugore dhe mobilitetit aktiv mbetet prioritet në politikat zhvillimore të komunës.
Projekti financohet nga Banka Botërore, përmes Programit për Rrugë Lokale dhe Rajonale, dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të këtij segmenti që lidh qytetin me rajonin e Sateskës.
Me fillimin e punimeve në terren dhe mekanizëm aktiv, projekti parashikon ndërtimin e një segmenti rreth 1 kilometër, duke vendosur në fokus sigurinë e këmbësorëve dhe çiklistëve. Në këtë kuadër do të ndërtohen shteg për këmbësorë, korsi për biçikleta dhe hapësira të gjelbëruara, duke e kthyer zonën në një hapësirë funksionale dhe moderne publike.




