Me ftesë të Ambasadës së Kosovës në Berlin, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, mori pjesë në pritjen diplomatike me rastin e Pavarësisë së Kosovo, i shoqëruar nga ambasadori i RMV-së në Gjermani, prof. dr. Ylber Sela.
Gjatë vizitës dyditore, Qyra zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të pushtetit lokal dhe rajonal, komunitetit të biznesit, organizatave të zjarrfikësve, shoqatave sportive, si dhe me përfaqësues të diasporës shqiptare.
Vizita u fokusua në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e përvojave, duke hapur rrugë për partneritete të reja në ekonomi, turizëm, arsim dhe shërbime publike. Në qendër të diskutimeve ishte zhvillimi ekonomik lokal dhe sigurimi i mbështetjes konkrete për Komunën e Strugës.
Nëpërmjet kësaj vizite, Struga synon të forcojë praninë ndërkombëtare dhe të shndërrojë lidhjet me diasporën dhe partnerët evropianë në projekte konkrete zhvillimore.




