Struga ka bërë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve komunale, duke përfituar dy automjete të reja të dizajnuara posaçërisht për rrugët e ngushta të qendrës së qytetit.
Investimi kap vlerën prej 1.200.000 denarësh, pjesë e projektit “Fuqizimi i kapaciteteve të Ndërmarrjeve Publike Komunale”, i cili po realizohet gjatë vitit 2025 nga Qendra për Zhvillim e Rajonit Planor Jugperëndimor dhe financohet nga Programi për Zhvillim të Barabartë Rajonal.
Ky projekt përfshin 5 komuna të rajonit dhe synon pajisjen me mekanizëm modern, rritjen e efikasitetit dhe uljen e kostove të punës, duke sjellë shërbime më cilësore për qytetarët.
Me ardhjen e këtyre dy automjeteve të reja, Struga bëhet gati për një menaxhim më të mirë të mbeturinave, rritje të pastërtisë publike, si dhe një mjedis më të shëndetshëm e funksional për të gjithë banorët.





