Qyteti i Strugës është pasuruar sot me një donacion të rëndësishëm prej 1.300 fidanësh të rinj, falë bashkëpunimit mes kompanisë Gligorov International dhe partnerit të saj nga Turqia, Project E. Ky donacion përbën një hap konkret drejt mbrojtjes së mjedisit dhe përmirësimit të gjelbërimit urban.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, theksoi se iniciativa të tilla janë investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve, duke kontribuar në ajër më të pastër dhe një ambient më të shëndetshëm për brezat e ardhshëm.
Donacioni përfshin specie të përzgjedhura dhe të qëndrueshme si Catalpa, Platanus, Photinia Red Robin, Cypress Leylandi dhe Pinus Silvestris, të përshtatura për kushtet lokale dhe me vlerë të lartë ekologjike dhe estetike.
Komuna e Strugës falënderoi kompanitë donatore për përgjegjësinë e tyre shoqërore, si dhe institucionet lokale për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e kësaj nisme.
Struga vazhdon rrugën drejt një qyteti më të gjelbër, më të bukur dhe më të qëndrueshëm.




