Struga merr frymë më e sigurt: Pastrohet kanali kryesor kullues, Qyra paralajmëron masa kundër përmbytjeve

Pastrimi i kanalit kryesor kullues në qytetin e Strugës po realizohet me intensitet të shtuar, duke u cilësuar si një hap vendimtar për parandalimin e përmbytjeve dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, njoftoi se punimet po zhvillohen në segmentin që shtrihet nga rruga “Turistike” deri te rruga magjistrale, një zonë e ndjeshme që për vite me radhë ka qenë e rrezikuar nga grumbullimi i ujërave.
Sipas Qyrës, kanalet kulluese kanë qenë të neglizhuara për një kohë të gjatë, ndërsa tani po merren masa konkrete për pastrimin dhe funksionalizimin e tyre, në funksion të mbrojtjes së pronës dhe jetës së qytetarëve.
Ai falënderoi ekipet dhe kompanitë e angazhuara në terren për punën e bërë, duke apeluar njëkohësisht te qytetarët që të mos hedhin mbeturina dhe të mos uzurpojnë kanalet kulluese, pasi vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët mund të sigurohet një Strugë më e pastër dhe më e sigurt.
Punimet po shoqërohen edhe me dokumentim fotografik nga terreni, ndërsa Komuna paralajmëron se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit