Struga dhe Ohri forcojnë bashkëpunimin: Qyra dhe Pecakov diskutojnë për plazhet, turizmin dhe shtegun lidhës

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zhvilloi sot një takim pune me Kryetarin e Komunës së Ohrit, Kirill Pecakov, duke riafirmuar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe vullnetin për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet dy komunave.
Gjatë takimit u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për komunikimin konstruktiv, ndërsa në fokus të bisedimeve ishin çështje me rëndësi të veçantë për të dy qytetet, si gjendja aktuale e plazheve, e lidhur drejtpërdrejt me turizmin dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe shtegu që lidh Strugën me Ohrin, një projekt strategjik për lidhjen rajonale, mobilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Bashkëpunimi ndërkomunal u trajtua edhe në kontekst të sfidave të përbashkëta nga e kaluara, problematikave aktuale dhe mundësive për iniciativa të reja të përbashkëta, me synim gjetjen e zgjidhjeve konkrete dhe afatgjata në interes të qytetarëve të Strugës dhe Ohrit.
Të dy kryetarët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të përvojave dhe veprimit të përbashkët, si element kyç për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin e balancuar rajonal.
Komuna e Strugës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me komunat fqinje, duke vënë në qendër interesin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë.

 

https://www.facebook.com/share/1HseZBuYpt/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit