Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka njoftuar se ka dhënë vendim negativ për hapjen e gurores në Straçincë, ndërsa ka paralajmëruar se koncesioni do të anulohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë transmeton INA
“Mbrëmë, pak para mesnatës, vizitova fshatin Straçincë ku u takova me banorët që po protestonin kundër hapjes së gurores. I njoftova se si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kam dhënë vendim negativ për kërkesën e hapjes së saj. Prej kohësh kam ndjekur shqetësimet e tyre dhe i kemi shqyrtuar me kujdes të gjitha raportet dhe analizat e institucioneve kompetente. Ato treguan qartë se aktiviteti i gurrores do të sillte pasoja të rënda, si rrezikun nga vërshimet dhe dëmtimin e rëndë të shëndetit e jetesës së banorëve. Për këtë arsye, vendimi im është i prerë: Gurorja nuk do të hapet!”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai shtoi se hapi i radhës është anulimi përfundimtar i koncesionit, i cili pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
“Ky vendim do ta mbyllë përfundimisht këtë çështje dhe do ta vendosë drejtësinë në anën e banorëve. Gjithmonë do të jem në anën e popullit, në anën e arsyes!”, ka theksuar Mexhiti.