Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, e akuzoi LSDM-në dhe BDI-në për, siç u shpreh ai, sjellje destruktive gjatë miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Kundërvajtje, me të cilat zyrtarisht fillon funksionimi i sistemit “Qytet i Sigurt”.
Stojanoski vlerësoi se opinioni dhe deputetët në Kuvend kanë qenë dëshmitarë të një veprimi të përbashkët të LSDM-së dhe BDI-së kundër ndryshimeve ligjore që, sipas tij, drejtpërdrejt përmirësojnë sigurinë në trafik dhe mbrojnë jetën e qytetarëve. Ai theksoi se deputetët e Venkos Filipçe dhe Ali Ahmetit, edhe në opozitë, vazhdojnë të veprojnë së bashku, këtë herë, siç tha ai, në kundërshtim me interesin publik.
Sipas Stojanoskit, në vend që të kapërcejnë kalkulimet partiake dhe të mbështesin një zgjidhje që sjell përfitime konkrete për qytetarët, LSDM dhe BDI vendosën të mos e mbështesin ligjin, duke përmendur vërejtje të ndryshme dhe dyshime për keqpërdorime të mundshme të të dhënave. Në këtë drejtim, ai ngriti pyetjen se çfarë kanë ndërmarrë këto parti gjatë shtatë viteve të fundit, kur kanë qenë bashkë në pushtet, nëse kanë konsideruar se një sistem i tillë është problematik.
Stojanoski e përmendi drejtpërdrejt edhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke pyetur pse gjatë mandatit të tij nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e sigurisë në trafik.
Si argument për efikasitetin e “Qytetit të Sigurt”, deputeti iu referua të dhënave statistikore, sipas të cilave në ditën e parë të testimit janë regjistruar rreth 110 mijë kundërvajtje trafiku, ndërsa vetëm 24 orë më vonë kjo shifër është ulur në rreth 50 mijë. Ai theksoi se kjo, sipas tij, është një tregues i qartë i efektit parandalues të sistemit.
Në lidhje me sigurinë në trafik, Stojanoski theksoi se Maqedonia ka rreth 65 viktima në trafik për një milion banorë, që është rreth një e katërta më shumë se mesatarja evropiane prej 45 viktimash. Si trend pozitiv, ai përmendi të dhënën se në dhjetor 2025 dhe janar 2026 numri i rasteve fatale është ulur nga 11 në 2.
Në fund, Stojanoski porositi se LSDM dhe BDI janë kundërvënë një sistemi që, sipas tij, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë së qytetarëve, ndërsa VMRO-DPMNE, siç tha ai, do të vazhdojë të miratojë masa dhe ligje në interes të sigurisë publike dhe qytetarëve.



