15.8 C
Skopje
Monday, October 27, 2025

Spitali i Strugës funksionon në kushte shumë të vështira

Kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, së bashku me ministrin e Shëndetësisë  Azir Aliu, vizituan dje Spitalin e Përgjithshëm të Strugës, ku u njohën nga afër me gjendjen aktuale të institucionit dhe sfidat e përditshme me të cilat përballen stafi dhe pacientët.

Gjatë takimit me drejtuesit dhe stafin mjekësor, u ngritën në pah problemet serioze me kushtet e punës, mungesën e pajisjeve moderne dhe aparaturat e vjetra, të cilat shpesh dalin jashtë funksioni duke e bërë të vështirë ofrimin e shërbimeve bazë. Mjekët theksuan se infrastruktura e amortizuar, mungesa e investimeve dhe mjetet e kufizuara ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit të pacientëve dhe në motivimin e personelit shëndetësor.

Në fjalën e tij, Mendi Qyra theksoi se pas 2 nëntorit do të krijohet një lidhje e fortë mes pushtetit lokal dhe atij qendror, e cila është e domosdoshme për përmirësimin e sistemit shëndetësor në Strugë.

“Edhe pse kompetencat më të mëdha i ka Ministria e Shëndetësisë, besoj se edhe kryetari i ardhshëm dhe komuna kanë përgjegjësi për të bërë aplikime dhe projekte konkrete. Nga vizita e sotme pamë një spital që është për të ardhur keq, por me angazhim më të madh do të bëjmë të pamundurën për përmirësim. E rëndësishme është të investohet te profesionistët shëndetësorë që mbajnë mbi supe gjithë këtë barrë,” u shpreh Qyra.

Ndërkohë, ministri Azir Aliu vlerësoi punën e stafit mjekësor dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes pushtetit qendror dhe atij lokal për të sjellë përmirësime reale në shëndetësi.

“Detyrimisht, bashkë me kryetarin e ardhshëm të komunës, projekti dhe kontrata e parë që duhet të realizohet mes Ministrisë dhe Komunës do të jetë infrastruktura në shëndetin publik në Strugë. Është e kot të kemi digjitalizimin dhe teknologjinë, nëse nuk kemi mjekë, motra dhe personel mjekësor. Kjo është njësoj si të kemi një sallë të bukur sporti, por pa lojtarë,” deklaroi ministri Aliu.
Në përfundim të vizitës, ministri u zotua për bashkëpunim të afërt me pushtetin lokal, me qëllim që të realizohen projekte urgjente që do të përmirësojnë kushtet e punës dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor për qytetarët e Strugës.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit