Spiropali përgëzon studentët shqiptarë në Maqedoni: Kushtetuta garanton gjuhën shqipe në provimin e Jurisprudencës

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përshëndetur studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për këmbënguljen e tyre që provimin e Jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe, gjuhë e garantuar nga Kushtetuta.

Ajo i uroi studentët për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën artikuluan kërkesën e tyre dhe vlerësoi gatishmërinë e institucioneve maqedonase, përfshirë Kryeministrin Mickoski dhe Zëvendëskryeministrin Sali, për ta trajtuar çështjen me seriozitet dhe në përputhje me ligjin, përcjell TS.

“Përgëzojmë studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
Vlerësojmë gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Kryeministrit Mickoski dhe Zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit” ka shkruar Spiropali

Spiropali theksoi se dialogu dhe respekti për të drejtat mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike.

“Dialogu, zgjidhjet institucionale dhe respekti për të drejtat mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike” thuhet në urimin e ministres së Jashtme të Shqipërisë studentëve të Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit