Sot zgjidhet kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Ademi kandidat i vetëm për mandatin e ri

Federata e Futbollit e Kosovës pritet të zgjedhë sot kryetarin e saj për mandatin e ri katërvjeçar 2026–2030. Procesi zgjedhor do të zhvillohet në Kuvendin Zgjedhor, i cili nis nga ora 11:00 në Prishtinë.

Delegatët e futbollit kosovar do të votojnë për presidentin e ri të FFK-së, ndërsa kandidat i vetëm në këtë proces është presidenti aktual, Agim Ademi. Ai synon mandatin e tretë në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend, detyrë që e mori pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Përveç zgjedhjes së presidentit, në rend të ditës është edhe përzgjedhja e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në këtë kuvend pritet të marrin pjesë personalitete dhe përfaqësues të rëndësishëm të futbollit vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë zëvendëspresidentin e UEFA-s, Armand Duka, përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore, si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Mbajtja e Kuvendit më 5 shkurt ka nxitur reagime, përfshirë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka kërkuar që para zhvillimit të mbledhjes të bëhet harmonizimi i statutit të FFK-së me legjislacionin vendor dhe rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s. Megjithatë, sipas një shkresë zyrtare nga këto dy institucione ndërkombëtare, Kuvendi i 5 shkurtit është vlerësuar si legjitim dhe është kërkuar që procesi të zhvillohet pa ndërhyrje nga palë të treta.

Gjatë kësaj mbledhjeje pritet të miratohet edhe buxheti i Federatës së Futbollit të Kosovës për vitin 2025, i cili është parashikuar të arrijë rreth 25 milionë euro./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit