Pas një pauze katërvjeçare, sot në Washington do të mbahet sesioni i dytë i Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonia e Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Delegacioni i lartë qeveritar udhëhiqet nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ndërsa do të marrin pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, ministri për Transformim Digjital Stefan Andonovski, si dhe ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska.
“Dialogu Strategjik paraqet një platformë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e partneritetit me SHBA-të, me fokus në fusha kyçe me interes të përbashkët, përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin teknologjik, ekonominë, tregtinë dhe energjetikën, si dhe luftën e përbashkët kundër kërcënimeve transnacionale dhe forcimin e sigurisë kufitare”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministria thekson se mbajtja e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik konfirmon vazhdimësinë e aleancës ndërmjet dy vendeve dhe përkushtimin e përbashkët për avancimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajon dhe më gjerë.
Mucunski së fundmi deklaroi në një intervistë se vendi do të jetë i pari në Evropë që, në kuadër të kësaj administrate, do të zhvillojë një sesion të Dialogut Strategjik në Washington. Ai shprehu pritjen që dialogu të hapë diskutime serioze në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, si dhe të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.



