Sot në histori: U botua libri i parë i telefonave në botë

Në një kohë kur interneti ka zëvendësuar pothuajse plotësisht librat e telefonit në letër, është vështirë të imagjinohet se dikur ato ishin teknologji revolucionare. Më 1878, u publikua drejtoria e parë telefonike në botë, një fletë e thjeshtë kartoni me emrat e personave dhe bizneseve që zotëronin telefon, shkruan KultPlus.

Libri i parë i telefonave u botua në New Haven, Connecticut, vetëm pak muaj pasi telefoni ishte shpikur pranë këtij qyteti nga Alexander Graham Bell, i cili e kishte demonstruar pajisjen aty në vitin 1877. Në atë kohë, në New Haven kishte rreth 50 persona që posedonin telefon – një numër i konsiderueshëm për një teknologji kaq të re.

Rrjeti telefonik lokal u krijua nga George Coy, i cili pasi pa demonstrimin e Bell-it, themeloi shkëmbimin e parë telefonik në botë. Më 28 janar 1878, kompania New Haven District Telephone Company nisi operimin me 21 abonentë, secili prej të cilëve paguante 1.50 dollarë në muaj për shërbimin.

Zhvillimi i rrjetit u bë i mundur falë shpikjes së panelit ndërlidhës (switchboard), që lejonte lidhjen e shumë përdoruesve. Para kësaj, telefonat funksiononin vetëm përmes linjave direkte private.

Me përhapjen e shpejtë të telefonit, drejtoria telefonike u zgjerua. Në nëntor 1878 u publikua një version më i plotë i librit të telefonave të New Haven-it. Një kopje e këtij botimi u shit në ankand në vitin 2008 për 170,500 dollarë, duke dëshmuar vlerën historike të këtij dokumenti.

Librat e hershëm të telefonave përfshinin edhe udhëzime për përdorimin e pajisjes, pasi shumë njerëz nuk dinin si ta përdornin siç duhet – madje disa bërtisnin në pjesën e gabuar të aparatit. Interesant është fakti se Alexander Graham Bell preferonte që bisedat të nisnin me fjalën “Ahoy”, dhe jo me “Hello”, siç u bë më vonë standard.

Në fillimet e saj, drejtoria përmbante vetëm emrat e përdoruesve, pasi shumë njerëz hezitonin të thërrisnin vetë numrat dhe preferonin të flisnin me operatorin e centralit, i cili më pas lidhte telefonatën.

Sot, libri i telefonave është pothuajse një relike e së kaluarës, por në vitin 1878 ai përfaqësonte majën e inovacionit teknologjik./KultPlus.com

 

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit