4.8 C
Skopje
Monday, December 22, 2025

Sonte koncerti gala i Orkestrës Simfonike të RTSH, Ristani: Një festë tingujsh që sjell stile të ndryshme muzikore

Në një mbrëmje magjike në Pallatin e Kongreseve, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të ngjitet këtë të hënë në skenë për një koncert gala, që do të ofrojë një udhëtim muzikor të jashtëzakonshëm, duke sjellë kryeveprat më të bukura të muzikës botërore.

Për të festuar fundin e vitit dhe për t’i dhënë një ngjyrë festive kësaj mbrëmjeje, drejtoresha e orkestrës, Blerta Ristani tha se ky koncert gala do të ketë një shkrirje magjike të stileve të ndryshme muzikore.

Nga rock-u dhe pop-i, deri tek jazz-i, Orkestra Simfonike do të interpretojë çdo tingull, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe të paharrueshme për publikun. Kjo mbrëmje nuk është thjesht një koncert, është një përqafim i muzikës dhe emocioneve, një festë që bashkon orkestrën me publikun dhe dashamirësit e muzikës.

“Sot, në mbrëmje, do të mbahet një koncert gala i dedikuar Krishtlindjes dhe festave të fundvitit. Nuk ka qenë gjithmonë një koncert gala në fund të vitit, kështu që kjo ishte ideja e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH, të bëjmë diçka ndryshe, të krijojmë një format ku orkestra të interpretojë gjithçka rock, pop, jazz  dhe të ketë të gjitha. Pse jo të mos e bëjmë më festive mbylljen e vitit dhe të bashkojmë të gjithë publikun”, tha Ristani.

Ky koncert gala vjen pas një vlerësimi të merituar, ku Orkestra Simfonike e RTSH u nderua me Çmimin e Karrierës në edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës. Ky çmim është një mirënjohje për angazhimin e tyre të palodhur dhe ndikimin e jashtëzakonshëm në historinë muzikore të vendit.

“Çmimi i merituar i Karrierës për orkestrën simfonike të RTSH-së ishte një nga momentet që do më mbetet në mend për shumë arsye. Ishte shumë emocionuese, pasi ishte e papritur në radhë të parë dhe erdhi në një moment shumë të mirë. Orkestra gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në një moment shumë të mirë. Nga shtatori e këtej, çdo javë orkestra ka qenë në skenë dhe do të vazhdojë me një mbrëmje gala shumë dinjitoze sot në mbrëmje”, tha Ristani.

Një mbrëmje gala që do të mbetet në kujtesë për gjithmonë, ku tingujt dhe emocionet do të bashkohen në një gjuhë të përbashkët, atë të muzikës që prek shpirtin./rtsh/ KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit