12.8 C
Skopje
Wednesday, October 15, 2025

Skandali me përgjimet në Kërçovë: BDI thotë se është propagandë e fabrikuar, VMRO kërkon që Dehari të pezullohet nga funksioni

Në vijim të zhvillimeve të fundit politike në Kërçovë, debati publik është përshkallëzuar pas publikimit të materialeve audio kompromotuese për kryetarin e Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, që kanë shkaktuar reagime të forta nga subjektet politike. Nga njëra anë, BDI thekson  se po tentohet ta etnizohet fushata dhe të manipulohet opinioni përmes fabrikimeve dhe propagandës, ndërsa nga ana tjetër, VMRO kërkon hetim të pavarur dhe pezullim të menjëhershëm të zyrtarit të përmendur në skandal, duke e konsideruar çështjen si morale dhe penale, jo etnike, transmeton Portalb.mk.

BDI thotë se beteja për Kërçovën po shndërrohet sërish në një garë etnike, në vend që të mbetet një përballje idesh dhe vizionesh për qytetin.

“Sa herë që shqiptarët në Kërçovë janë bërë faktor vendimmarrës, janë aktivizuar mekanizmat e nëntokës – laboratorët e shërbimeve që punojnë në errësirë – për t’i ndarë, për t’i përçarë dhe për t’i diskredituar përfaqësuesit e tyre politikë. Ne e njohim mirë këtë skenar: kur nuk mund të munden me ide, kur nuk kanë projekt, shpikin skandale, montojnë biseda, fabrikojnë “fakte”, dhe i shpërndajnë me qëllim të vetëm – që qytetari të humbasë besimin te politika dhe të qëndrojë në shtëpi ditën e vendimit. Kërçova nuk do të bjerë në këtë grackë. Qytetarët tanë janë të mençur, dinë të dallojnë propagandën e fabrikuar nga realiteti. Ne do të vazhdojmë me qetësi, me dinjitet dhe me bindjen se e ardhmja e Kërçovës nuk ndërtohet me shpifje, por me punë, me përkushtim dhe me respekt për secilin qytetar – pa dallim etnie apo përkatësie. Le ta ruajmë Kërçovën nga ndyrësia e politikës së vjetër. T’i themi JO manipulimeve dhe PO dinjitetit, bashkëjetesës dhe zhvillimit që i takon këtij qyteti. Dhe krejtësisht në fund, është thelbësore që para çdo reagimi publik apo nxjerrjeje përfundimesh të verifikohet me kujdes autenticiteti i materialit audio. Vetëm pas një vlerësimi të qartë dhe të besueshëm nga institucionet apo ekspertët përkatës mund të flitet me përgjegjësi mbi përmbajtjen e tij. Çdo koment apo diskutim pa një konfirmim të tillë do të ishte spekulativ dhe potencialisht i dëmshëm, si për personat e përfshirë”, thonë nga BDI.

Ndërkohë VMRO thotë se nuk është çështje etnike, por morale dhe penale, BDI të ndalojë së mbrojturi Deharin, viktimat të marrin mbrojtje.

“BDI po përpiqet ta shndërrojë skandalin me Fatmir Deharin në një histori etnike. Është një manovër e lirë. Kjo nuk është shqiptarët kundër maqedonasve. Ky është një abuzues ndaj viktimave. Kjo është çështje dinjiteti, ligji dhe përgjegjësie, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare. Publiku ka dëgjuar përmbajtje që ngre dyshime serioze për ngacmim seksual dhe presion në Komunën e Kërçovës. Në vend që të mbrojë viktimat dhe të hapë rrugën për një hetim, BDI po flet për fakte “të nëndheshme” dhe “të fabrikuara”. Është një recetë klasike për të shpërqendruar vëmendjen nga thelbi dhe për të frikësuar dëshmitarët”, thonë nga VMRO.

VMRO kërkon:

1. Pezullim i menjëhershëm i Fatmir Deharit nga të gjitha funksionet publike deri në përfundimin e procedurave.

2. Ekzaminim i pavarur mjeko-ligjor i materialeve audio nga ekspertë që nuk kanë lidhje me politikën. Çdo gjë që është autentike – në prokurori.

3. Mbrojtja e sinjalizuesve dhe viktimave të mundshme në përputhje me ligjin; hapja e kanaleve diskrete për raportim.

4. Auditim i brendshëm në Komunën e Kërçovës për mjedisin e punës dhe abuzimet e mundshme të pozicionit zyrtar.

5. Dënim publik i çdo përpjekjeje për manipulim etnik. Dinjiteti i grave nuk është mburojë partiake.

“Kërçova nuk meriton heshtje dhe relativizim. Qytetarët janë të pjekur dhe e dinë saktësisht se shpifja fshihet pas atyre që kanë frikë nga e vërteta. Ne do të këmbëngulim që institucionet të veprojnë profesionalisht dhe në mënyrë të paanshme. Në këtë vend, drejtësia nuk duhet të varet nga përkatësia partiake, etnia apo pozicioni”, shtojnë nga VMRO.

Në rrjetet sociale qarkullojnë përgjime në Komunën e Kërçovës ku dëgjohet një zë i cili thuhet të jetë i kryetarit të komunës, Fatmir Dehari, me përmbajtje eksplicite, seksuale, korruptive, ofendime, sharje dhe të tjera. Edhe pse i kontaktuar nga Portalb.mk, Fatmir Dehari nuk u deklarua për përgjimet, kurse Portalb në mënyrë të pavarur nuk ka mundur t’i verifikojë përmbajtjet.

Këto përgjime janë publikuar ditëve të fundit në profilin në Facebook, El Cheka (Sheqerim Ahmedi), i cili ka publikuar edhe në të kaluarën përgjime të funksionarëve të BDI-së.

“Ai përgjuesi që është gjetur në komunë më ka kushtuar 20-mijë dollarë për ta futur për të incizuar Don Zhuanin si sillet me punëtoret”, ka shkruar mes tjerash në një postim në Facebook, El Cheka.

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari nuk u përgjigj në thirrjen e Portalb.mk dhe as në sms porosinë se a do të merr përgjegjësi për këto veprime, cili është qëndrimi i tij, a do jep dorëheqje nga funksioni dhe kandidatura për kryetar të Kërçovës.

Nga Prokuroria Themeloe Publike konfirmuan për Portalb.mk se “në Prokurorinë Themelore në Kërçovë nuk është dorëzuar asnjë paraqitje apo informacion lidhur me ngjarjen”.

Ministria e Brendshme për Portalb.mk tha se “deri në këtë moment nuk ka paraqitje në SPB Ohër ngjarje të tillë”.

VLEN ka thënë se kjo situatë e degradon imazhin e institucionit dhe moralin publik.

“Ky është vetëm reflektim i kulturës politike që për 20 vite ka mbytur përgjegjësinë dhe ka ngritur turpin në standard”, thanë nga VLEN.

Ndryshe, Fatmir Dehari kandidon për mandatin e katërt si i pari i Kërçovës në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit