Jehona e skandalit të lidhur me Jeffrey Epstein ka arritur deri në botën e muzikës klasike në Itali, duke sjellë pasoja konkrete në Teatro Massimo në Palermo.
Sipas La Repubblica, drejtuesit e teatrit kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me dirigjentin francez Frédéric Chaslin, i cili ishte planifikuar të drejtonte operën Aida në muajin maj.
Vendimi erdhi pas shqetësimeve të krijuara nga përfshirja e emrit të Chaslin në dokumente të lidhura me Epstein. Konkretisht, bëhet fjalë për një episod të vitit 2013, kur dirigjenti kishte sugjeruar një mike të tij si përkthyese për një vizitë të Epstein në institucione kulturore franceze, përfshirë Operën e Parisit dhe Versajën.
Megjithatë, sipas raportimeve, nuk ka akuza apo hetime ndaj Chaslin. Pavarësisht kësaj, situata ka krijuar tension brenda teatrit, ku disa anëtarë të orkestrës kanë shprehur hezitim për të vijuar përgatitjet për një vepër komplekse si “Aida”.
Duke qenë se kontrata formale ende nuk ishte nënshkruar, drejtuesit e teatrit vendosën të tërhiqen nga projekti, duke theksuar nevojën për një ambient të qetë dhe profesional për realizimin artistik.
Nga ana e tij, Chaslin ka reaguar me pakënaqësi, duke bërë publike korrespondencën me drejtuesit e teatrit dhe duke theksuar se kishte vepruar në mirëbesim. Ai ka deklaruar se lidhja e tij me Epstein ka qenë minimale dhe pa përfitime financiare.
Ndërkohë, reagimet brenda orkestrës mbeten të ndara: një pjesë mbështet vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit, ndërsa të tjerë shprehin shqetësim për ndikimin që situata mund të ketë në klimën artistike të institucionit./KultPlus.com



