Sistemi “Qyteti i Sigurt” drejt gjithë vendit në 2026, pa afate dhe qytete konkrete

Ministria e Punëve të Brendshme nuk jep detaje se cilat do të jenë qytetet e radhës në të vilat do të zgjerohet sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ ndonëse thonë se gjatë këtij viti është në plan që ky sistem të zgjerohet në të gjithë vendin, shkruan Portalb.mk.

Projekti “Qyteti i Sigurt” është planifikuar të zgjerohet në territorin e gjithë vendit gjatë vitit 2026, megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk tregon se cilat do të jenë qytetet e radhës ku do të implementohet sistemi.

“Prioriteti për vendosjen e kamerave përcaktohet sipas kritereve të sakta të sigurisë, ndërsa fokusi do të vendoset në arteriet kryesore të komunikacionit dhe bulevardet ku është regjistruar frekuencë më e madhe e automjeteve dhe këmbësorëve, në kryqëzimet kyçe ku shpesh ndodhin shkelje të rregullave të trafikut, si dhe në hyrje dhe dalje të qyteteve, me qëllim rritjen e sigurisë së përgjithshme”, thonë për Portalb.mk nga Ministriia e Brendshme.

Nga MPB-ja thonë se do ta informojë publikun për të gjithë hapat e mëtejshëm në këtë proces.

Megjithatë, sipas raportimeve paraprake, mësohet se dy qytetet e radhës ku pritet të zgjerohet ky sistem do të jenë, Velesi, Ohri dhe Struga, dhe sistemi pritet të futet në funksion para sezonit veror, por datë konkrete nuk ka ende.

Në Maqedoninë e Veriut nga 1 shkurt 2026 ka hyrë në fuqi sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ kamerat e të cilit kapin automatikisht shkeljet në trafik dhe menjëherë lëshon gjobat.

Ku zbatohet?

Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ funksionon vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.

Gjatë vitit 2026 parashihet që sistemi të fillojë të funksionojë në gjithë territorin e shtetit.

Megjithatë nuk ka ende datë konkrete se kur do fillojë në qytetet tjera.

Cilat shkelje detektohen?

Në fazën e parë, sistemi detekton katër shkelje në trafik:

  1. Tejkalim i shpejtësisë së lejuar;
  2. Kalimi në semafor të kuq;
  3. Parkim i parregullt;
  4. Pjesëmarrja në komunikacion me automjet të paregjistruar.

Cilat janë gjobat?

Gjobat për shkeljet në trafik fillojnë nga 15 euro deri në 500 euro si dhe ndalesa. Portalb.mk i vizualizoi të gjitha gjobat për secilën shkelje.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ku vijnë gjobat?

Qytetarët njoftimin e pranojnë në telefon përmes sms-ve dhe në adresën e-mail (të cilën pronari e ka dorëzuar gjatë regjistrimit).

Qytetarët pranojnë një link dhe aty është procesverbali ku shkruan se cila kundërvajtje, kur dhe ku është kryer, si dhe gjoba që duhet paguar.

Mesazhi vjen nga dërguesi “MVR-SC”, linku për procesverbalin ka formatin https://safecountry.mvr.gov.mk…, si dhe në tekst gjithmonë është e shënuar targa e automjetit.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm sepse periudhën e fundit filluan të qarkullojnë edhe mesazhe të rreme kinse vijnë nga ky sistem.

Si paguhen gjobat?

Gjoba do mund të paguhet në mënyrë elektronike, në postë dhe në bankë.

Nëse pronari i automjetit e paguan gjobën brenda tetë ditëve, do ta paguajë vetëm gjysmën e saj.

Nëse ka kaluar afati prej tetë ditësh për ta paguar gjysmën e gjobës, qytetarët mund ta paguajë vlerën e plotë të gjobës së shqiptuar më së voni brenda tetë ditëve pas skadimit të afatit për pagesën e gjysmës, para procedurës së përmbarimit.

Nëse gjoba paguhet brenda këtyre afateve, atëherë nuk paguhen shpenzime shtesë.

Megjithatë, në rastin kur autori nuk do të pajtohet me kundërvajtjen, edhe procesverbali për kundërvajtje rrugore edhe urdhërpagesa për kundërvajtje do të dorëzohen në gjykatën themelore dhe atëherë procesverbali paraqet kërkesë për inicimin e procedurës kundërvajtëse.

Ndërkaq nëse bëhet fjalë për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“, atëherë rastin do ta marrë përsipër prokuroria publike.

Shkeljet që do të kryhen me automjete me targa të huaja, MPB-ja ka sqaruar se shoferët nuk do të ndalohen gjatë daljes nga shteti, por nuk do mund të hyjnë përsëri në kufi pa mos e paguar gjobën.

Cilat janë tolerancat?

Nga 30 janari ka hyrë në fuqi rregullorja e re sa i përket tolerancave.

Deri në 50 km/h toleranca është 6 km/h. Shembull: në zonë 30 km/h, deri në 36 km/h nuk ka gjobë, nga 37 km/h dënoheni.

Nga 50 deri në 100 km/h toleranca është 9 km/h. Shembull: në zonë 50 km/h, deri në 59 km/h nuk ka gjobë, nga 60 km/h dënoheni.

Mbi 100 km/h toleranca është 12 km/h. Shembull: në zonë 100 km/h, deri në 112 km/h nuk ka gjobë, nga 113 km/h dënoheni.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit