Siljanovska-Davkova takon presidentin e EBA-së

Shkup, 5 shkurt – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Samitin botëror të qeverive në Dubai realizoi takim me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohamed bin Zajed Al Nahjan.

Në takim, presidentja shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe mundësinë për të marrë pjesë në samit, duke e vlerësuar atë si një platformë jashtëzakonisht të rëndësishme për adresimin e sfidave globale dhe rajonale dhe për zhvillimin e një dialogu të rëndësishëm me liderë dhe partnerë të shquar nga e gjithë bota.

Në fokus të bisedës, siç njofton kabineti i Siljanovska-Davkovës kanë qenë perspektivat për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, ndërsa është theksuar nevoja për përmirësimin e kornizës ligjore.

Theks i veçantë është vendosur në marrëdhëniet ekonomike dhe mundësinë e përshpejtimit të projekteve me interes të ndërsjellë, të cilat janë në fazën përgatitore.

Presidentja përshëndeti vendosjen e regjimit pa viza midis dy vendeve, duke e vlerësuar atë si një mundësi të shkëlqyer për të lehtësuar komunikimin e përgjithshëm midis dy shoqërive.

Ajo shprehu besimin se takimi i cili zhvillohet në prag të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, do të japë një shtysë e fortë për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi çështjet aktuale globale dhe rëndësinë e përpjekjeve për zgjidhjen e konflikteve ekzistuese.

Në këtë kontekst, presidentja përshëndeti rolin konstruktiv dhe të përgjegjshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe e cila bazohet në parimet e paqes dhe tolerancës.

Siljanovska-Davkova theksoi interesin nga ana e Maqedonisë së Veriut për thellimin e bashkëpunimit përmes iniciativave të përbashkëta për dialog ndërkulturor dhe promovimin e vlerave të përbashkëta qytetëruese.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit