Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin tradicional të fundvitit i vendosi kusht Bashkimit Evropian, si kundërpërgjigje ndaj thirrjeve të BE-së për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me qëllim të zhbllokimit të negociatave. Presidentja, duke folur me kritika për qasjen e faktorit ndërkombëtar ndaj rrugës eurointegruese, bëri të qartë se pa garanci të qarta nuk do të miratohen ndryshimet kushtetuese.
“Nevojitet vullnet politik, por jo vetëm i yni, por edhe i Unionit. Pasi ne kemi propozuar shumë zgjidhje, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të zgjedh një ose të gjejë zgjidhje të saj kreative për debllokim të procesit. Nëse ka zgjidhje për Ukrainën dhe Moldavinë, lehtë do të gjendet edhe për ne. Pa garanci të qarta prej BE-së dhe Bullgarisë dhe pa mekanizma përkatëse mbrojtëse, me edhe një ndryshim kushtetues, ne rrezikojmë që prej këtij procesi të dalim siç plaku i Hemingueit doli nga deti – me një skelet peshku, me sovranitet dhe identitet nacional kulturor të zhveshur dhe gërryer”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Siljanovska në fjalimin e saj njëorësh, preku pothuajse të gjitha çështjet me interes shtetëror, megjithatë në fokus nuk kishte asnjërën prej çështjeve të nxehta që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike apo pikat më nevralgjike që prekin shqiptarët, siç janë zbatimi i ligjit të gjuhëve e ligji i paralajmëruar për përfaqësim të drejtë. Në vend të kësaj, presidentja në fund të fjalimit u kujdes të bëjë një formulim të përgjithshëm me thirrje për unitet.
“Pavarësisht nëse jemi maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë ose të tjerë. Pavarësisht nëse jemi të krishterë, myslimanë, hebrenj apo ateistë, vetëm me ndërtimin e unitetit rreth interesave shtetërorë ne do të mundemi me të vërtetë ta rinovojmë marrëveshjen shoqërore të qytetarëve të lirë, të barabartë para ligjit, të bashkuar para të mirës së përgjithshme”, theksoi ajo.
Theks të veçantë, në fjalimin e saj presidentja vendosi edhe te tragjedia e Koçanit e cila theksoi që ajo nuk është vetëm një fatkeqësi, por rezultat i tolerancës ndaj korrupsionit, mosndëshkimit të krimit dhe lëshimeve sistematike.
“Kjo tragjedi nuk ishte vetëm akt i fatkeqësisë, por edhe lëshimeve sistematike. Duhet t’i lëmë në qetësi prokurorët të akuzojnë, mbrojtësit të mbrojnë, ndërsa gjykatësit të gjykojnë. Partitë dhe politikanët duhet t’i ndalojnë përplasjet politike të përditshme në llogari të punës së gjykatës dhe dhimbjes së familjeve”, tha presidentja.
Siljanovska, foli edhe për arsimin, ekonomin, digjitalizimin, sigurinë, diplomacinë, mjedisin, diasporën, barazinë gjinore e tema tjera. / Alsat.mk





