Siljanovska-Davkova fal 25 të dënuar me rastin e Ilindenit

Advertisement

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka marrë vendim për faljen e gjithsej 25 personave të dënuar me rastin e festës kombëtare 2 Gusht – Ilinden.

Sipas vendimit të publikuar në “Gazetën Zyrtare”, gjashtë persona janë liruar plotësisht nga vuajtja e pjesës së mbetur të dënimit me burg, ndërsa 19 të tjerë kanë përfituar shkurtim të pjesshëm të dënimit.

Nga falja e plotë kanë përfituar gjashtë persona nga Shkupi, Kavadari, Çegrani i Gostivarit, Tazheva e Makedonski Brodit, Prilepi dhe Osoji i Kërçovës.

Në mesin e 19 personave që kanë përfituar shkurtim të dënimit, pjesa më e madhe janë liruar nga vuajtja e dënimit për pesë deri në nëntë muaj. Shkurtimi më i madh i është dhënë Imer Shefije Jakupit nga Zajazi i Kërçovës, të cilit dënimi i është shkurtuar për një vit e gjashtë muaj.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 84 të Kushtetutës dhe Ligjit për Falje dhe hyn në fuqi menjëherë pas miratimit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit