Si është jeta në qytetin sicilian të shtëpive një euro?

Në Mussomeli të Sicilisë, projekti i shtëpive një euro ka ringjallur qytetin, duke tërhequr banorë nga 18 vende të ndryshme

Në zemër të Sicilisë, në qytetin e vogël malor të Mussomelit, jeta gumëzhin mes traditave, mikpritjes dhe një eksperimentimi që ka tërhequr vëmendjen botërore: projekti i shtëpive me çmim një euro. Kjo nismë ka sjellë banorë të rinj nga 18 vende të ndryshme, të cilët tashmë po bëhen pjesë e komunitetit vendas, duke i dhënë frymë të re qytetit që dikur po boshatisej.

Në rrugët e ngushta të qytetit, çdo shtator, qindra njerëz mblidhen për festën e Zonjës së Mrekullive (Madonna dei Miracoli). Dritat me ngjyra, muzika dhe procesionet madhështore e bëjnë qytetin të marrë jetë. Në krye të festës qëndron një statujë e Virgjëreshës Mari, e mbuluar me ar e bizhuteri të dhuruara nga banorët, të cilën e mbajnë në duar dhjetëra burra që e shëtisin nëpër rrugët e pjerrëta të Mussomelit për më shumë se dy orë.

 

Kjo është jeta në një qytet të shtëpive një euro: jashtëzakonisht lokale, tradicionale dhe me një ndjenjë të fortë komuniteti – një mënyrë jetese që tani po e përqafojnë njerëz nga e gjithë bota.

Mussomeli, në qendër të Sicilisë, është ndoshta më i njohuri nga qytetet italiane që shesin shtëpi të rrënuara për vetëm një euro. Këto ndërtesa kërkojnë rindërtim total, por projekti përfshin edhe “shtëpi premium”, që janë të banuara dhe kërkojnë më pak punime, me çmime që nisin nga rreth 12 mijë dollarë. Që nga viti 2017, janë shitur rreth 450 shtëpi, përfshirë 150 me një euro, sipas Cinzia Sorce nga agjencia “Agenzia Immobiliare Siciliana”, raportoi CNN. Kur njerëzit dëgjojnë për shtëpi që shiten për një euro, reagimi i parë është ose kuriozitet, ose mosbesim. Si mund të kushtojë një shtëpi më pak se një kafe? Sa keq mund të jetë? Dhe a jeton vërtet dikush aty? Apo është një fshat gjysmë i braktisur në mes të maleve?

 

Në rastin e Mussomelit, ndoshta arsyeja pse është bërë kaq popullor – përgjigjja është se jeta aty është ende shumë aktive. Me rreth 5 mijë banorë, qyteti ka gjithçka: dyqane, mjekë, veterinerë, mekanikë, markete, spitale dhe klinika private. Në verë, çdo natë ka muzikë live në sheshet e qytetit, ndërsa ngjarjet fetare janë të shumta, me kulmin më 8 shtator, gjatë festës së “La Madonna di Mussomeli”.

Për banorët e huaj, mikpritja është arsyeja kryesore pse zgjedhin Mussomelin, kurse për vendasit, “accoglienza” – mikpritja është pjesë e kulturës. Kryetari i bashkisë, Giuseppe Catania, thotë se hapja ndaj të huajve është në ADN-në e sicilianëve. “Ne kemi jetuar nën pushtime të huaja për shekuj. Është natyrale për ne të jemi të hapur”. Peizazhi është gjithashtu një tërheqje e madhe. Zona përreth Mussomelit, me kodrat e larta që shtrihen pafund, është mahnitëse – shpesh krahasohet me Toskanën. Nga Mussomeli, brenda një ore mund të arrish në Agrigento, Piazza Armerina ose Caltanissetta, që ofrojnë ndërthurje të historisë greke, romake dhe baroke.

 

Projekti i shtëpive një euro ka sjellë një ndryshim të madh. Tani, me 18 kombësi të ndryshme që jetojnë aty, popullsia është stabilizuar për herë të parë pas dekadash. Ekonomia vendase është rritur, ndërtuesit janë të tej ngarkuar, dhe turizmi është rritur me mbi 900% që nga viti 2016.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit