Kriza e çmimeve të naftës ka përfshirë të gjithë rajonet e Evropës, duke detyruar qeveritë të ndërmarrin masa të menjëhershme për të përballuar pasojat ekonomike. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në funksionimin e bizneseve, duke rritur kostot e transportit dhe të produkteve bazë. Përballë kësaj situate, shtetet e rajonit kanë filluar me marrjen e masave që të zbusin ndikimin e krizës dhe të ruajnë stabilitetin ekonomik në një periudhë sfiduese për kontinentin.
Kryeministri I Shqipërisë Edi Rama deklaroi së fundmi se planifikon ulje të akcizës së naftës për rreth 20%, për të lehtësuar barrën mbi përdoruesit e automjeteve. Rama vuri në dukje se qeveria po përgatit edhe projektligjin për rezervat strategjike, i cili ndodhet në konsultim publik, dhe po planifikon ndërhyrje të reja në tregun e karburanteve për të garantuar ekuilibrin e çmimit dhe transparencën e lëvizjeve të naftës në vend.
Sllovenia ka kufizuar furnizimin me karburant për qytetarët në 50 litra në ditë. Sipas masave të miratuara, në stacionet e karburanteve është e lejuar që çdo individ të furnizohet me maksimum 50 litra karburant në ditë, ndërsa për personat juridikë dhe individët që ushtrojnë veprimtari, përfshirë bujqësinë, lejohet deri në 200 litra.
Edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq paralajmëroi masa për periudhën në vijim, përfshirë lirimin e rreth 40 mijë tonëve të naftës nga rezervat shtetërore dhe uljen shtesë të akcizave me 40 për qind. Ministrja e Minierave dhe Energjisë së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, deklaroi më 21 mars se shteti i saj po negocion me kompanitë e naftës për të gjetur mënyrën më të mirë dhe çmimet më të mira me të cilat do t’u ofrojë 40.000 tonë naftë nga rezervat shtetërore.



