Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, organizata rinore digjitale “RinOn” dhe ambasada e Izraelit në Tiranë organizuan një event për të sjellë në kujtesë strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rejvi Dervishi, themeluesi i RinOn, u shpreh se është përgjegjësia jonë e përbashkët që të kujtojmë dhe të reflektojmë mbi tragjedinë që preu përdhunshëm fillin e jetës së gjashtë milionë të pafajshmëve, të cilëve iu rrëmbye e drejta e jetës.
Të rinjtë u bënë pjesë e një aktiviteti për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Piramidën e Tiranës, duke kujtuar si Shqipëria u bë strehë për qindra hebrenj, që gjetën mbrojtje dhe sigurisë në shtëpitë e shqiptarëve.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm anëtarë të trupit diplomatik izraelit, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore në DPA, Lorenc Agalliu etj.
Zëvendësambasadori Gal Rudich tha se Shqipëria mbetet shembull që dëshmon se gjithçka mund të kishte qenë ndryshe.



