Me rastin e 65-vjetorit të Pavarësisë dhe 35-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Shtetit të Kuvajtit, u organizua një pritje zyrtare, ku mori pjesë edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në postimin e tij, në rrjetet sociale, Balla vuri theksin tek marrëdhëniet e forta mes dy vendeve si edhe tek turizmi në rritje.
“Shqipëria dhe Kuvajti kanë marrëdhënie të shkëlqyera, ndërsa vit pas viti po rritet numri i turistëve kuvajtianë që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë”, shkroi Taulant Balla, duke publikuar edhe pamje nga ceremonia për festat kombëtare të Kuvajtit.
Aktiviteti ishte kremtimi shpalljes së pavarësisë së Kuvajtit nga protektorati britanik më 19 qershor 1961, por që kremtohet më herët për shkak se qershori karakterizohet nga temperatura shumë të larta, në këtë vend. Kështu kremtimet u bashkuan me përvjetorin e ngjitjes në fron të Sheikh Abdullah Al-Salem Al-Sabah në vitin 1950, emiri i parë pas pavarësisë.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Kreu i MTKS-së tha se, Shqipëria dhe Kuvajti ndajnë marrëdhënie të forta miqësie dhe bashkëpunimi, me potencial të madh për t’u thelluar më tej, mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe interesit të përbashkët për zhvillim.
“Mbetemi të përkushtuar për të forcuar dialogun dhe për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, përfshirë fushat e turizmit, kulturës dhe sportit ndërmjet vendeve tona”, u shpreh ministri Gonxhja.



