Shqipëria marrëveshje bashkëpunimi me shkollën prestigjioze italiane të kinematografisë

Qendra Kombëtare e Kinematografisë dha një lajm të mirë për kineastët e rinj shqiptarë.

Kryetari i QKK, Jonid Jorgji ishte në Centro Sperimentale di Cinematografia (Qendrën eksperimentale të kinematografisë), në Romë për të vendosur ura bashkëpunimi me këtë qendër, e cila është shkolla më e vjetër dhe më prestigjioze e filmit në Itali.

“Jemi krenarë të njoftojmë se po punojmë intensivisht për të hapur dyert e bashkëpunimit me njërën prej shkollave më prestigjoze të filmit në botë: Centro Sperimentale di Cinematografia në Itali”, shkruan QKK në profilin e saj online.

Projekti synon të ofrojë mundësi unike specializimi për talentet shqiptare në zemër të industrisë italiane të filmit. QKK tha se, së shpejti do të hapë thirrjen për bursa studimi për profilin “drejtor fotografie”.

E themeluar që në 1935-ën, Centro Sperimentale di Cinematografia përbëhet nga Shkolla Kombëtare e Kinemasë (Scuola Nazionale di Cinema) e cila formon profesionistë të sektorit si dhe nga Kinoteka Kombëtare (Cineteca Nazionale) e cila ruan trashëgiminë kinematografike si një nga arkivat më të rëndësishme të filmit në botë. Ajo plotësohet nga qendra të tjera kulturore si Biblioteka “Luigi Chiarini” dhe një departament botues./atsh/KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit