Shporta e Qeverisë 160 euro më e ulët se ajo e Sindikatës

Shporta mesatare e shpenzimeve e qeverisë është 160 euro më e ulët se ajo minimale sipas sindikatës. Qeveria ka llogaritur se për një familje katëranëtarëshe në janar ishin të nevojshme 56.000 denarë – deklaroi në emisionin Biznes 21 ministri i Ekonomisë Besar Durmishi. Sipas tij, shporta mesatare e qeverisë ishte më e lirë se ajo minimale sindikale, sepse sindikata kishte llogaritje jo realiste më të larta.

“Në janar 2026, shporta mesatare e shpenzimeve, që është bërë një llogaritje nga kjo, e ashtuquajtura shporta jonë mesatare, është rreth 56.000 denarë. Po e shikojmë strukturën e vitit 2025 do të shohim dallime të rëndësishme sipas kategorive. Për shembull, te veshjet dhe këpucët dallimi është rreth 3.000 denarë, afërsisht 50% më e lirë. Te banimi, uji, gjithashtu energjia elektrike, karburantet, dallimi është po rreth 3.000 denarë.
-E pse?
-Sepse aty kanë vënë shumë shpenzime që një familje nuk i përdor”, u shpreh ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Durmishi tha se në shportën e qeverisë ka mbi 100 produkte bazë ushqimore, dhe është përfshirë edhe Nescafé, që për kryeministrin konsiderohet luks. Ndërkaq, shporta sindikale për janar është 66.400 denarë, ndërsa ajo për shkurt arriti në 67.400 denarë, ose për dy muaj sipas llogaritjeve të sindikatës është rritur për 2.000 denarë. Durmishi tha se sheh populizëm dhe politikë në protestën e Lidhjes së Sindikatave të planifikuar për të shtunën më 14 mars. Po ashtu edhe për kërkesën e tyre për pagë minimale 600 euro dhe rritjen e të gjitha pagave për 100 euro.

“Nëse më pyetni mua, unë dua që paga minimale të jetë 1.000 euro. Jo vetëm unë, cilindo të pyetni. Ne shqyrtojmë nëse kjo është ekonomikisht e qëndrueshme. A do të vlejnë 1.000 euro pas kësaj sa vlerë reale kanë. A do të jetë fuqia blerëse ajo që është, apo do të rriten çmimet edhe më shumë ku as 1.000 euro nuk mund t’i kapin, sepse nuk ka bazë ekonomike, pasi nuk është e bazuar në të dhëna ekonomike”, theksoi Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës.

Sipas Durmishit, nëse konflikti në Lindjen e Mesme thellohet, mund të ketë implikime serioze edhe për vendin tonë. Por tha se qeveria po ndjek situatën dhe do të reagojë. Nëse ka rritje çmimesh, do të veprohet me kufizim të marzhave dhe ngrirje të çmimeve për produktet bazë ushqimore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit