Shpërthim në një fabrikë të biskotave në Greqi, raportohet për viktima

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë fabrikën ushqimore në Trikala të Greqisë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës (26 janar), kur një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar zjarr masiv në fabrikën ushqimore, duke e shkatërruar atë pothuajse plotësisht. Fillimisht, autoritetet raportuan për pesë punëtorë të zhdukur, ndërsa më vonë u konfirmua se tre prej tyre janë gjetur të pajetë në bodrumin e fabrikës.

Sipas informacioneve më të fundit, dyshohet se edhe një grua është gjetur pa shenja jete, ndërsa kërkimet vijojnë për gjetjen e një punëtoreje tjetër që rezulton ende e zhdukur.

Tetë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit, ndërsa 12 punëtorë janë transportuar në Spitalin e Trikalës për kontrolle mjekësore, për arsye paraprake.

Departamenti i zjarrfikësve bën me dije se në momentin e shpërthimit në një nga krahët e fabrikës ndodheshin gjithsej 13 persona.

Në vendngjarje ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, ekipe të emergjencës dhe njësia speciale EMAK, e cila është përforcuar edhe me ekipe nga Lamia.

Sipas autoriteteve, një pjesë e ndërtesës është shembur, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve po vijon me rreth 40 zjarrfikës dhe 13 mjete zjarrfikëse.

Ndërkohë, mbeten të paqarta shkaqet e sakta të shpërthimit. Një punonjës i fabrikës ka deklaruar se në ambientet e saj nuk kishte depozita gazi LPG, çka ka ngritur pikëpyetje mbi origjinën e zjarrit. Autoritetet pritet të kryejnë hetime të detajuara për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit