29.8 C
Skopje
Wednesday, September 24, 2025

Shpenzimet për ushqimet janë rritur për 12% pas përfundimit të masave të qeverisë kundër rritjes së çmimeve

Shpenzimet e jetesës shënojnë rritje të vazhdueshme. Vlera e shportës minimale sindikale për muajin gusht është 65,507 denarë, kurse krahasuar me muajin korrik ajo është rritur me 179 denarë. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë njofton se për familjet që kanë një apartament me qira prej 60 metrash katrorë shporta sindikale është 80,882. Nga të dhënat e shportës minimale sindikale është e qartë se pas përfundimit të masave aktive qeveritare, vlera e shportës minimale sindikale është rritur me 2,816 denarë ose 4.49%, ndërsa për ushqimet dhe pijet ka pasur një rritje prej 2,584 denarë, ose 12.09%, thuhet në njoftimin e sindikatave.

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi thotë se të dhënat e Lidhjes së Sindikatave nuk janë të sakta.

“Të dhënat e Lidhjes së Sindikatave për shportën e konsumatorëve nuk janë relevante, nuk merren si bazë dhe të sakta, për këtë arsye do të përgatisim një shportë minimale dhe një shportë mesatare konsumatore,” tha Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë.

Gjithësesi, Durmishi thotë se janë duke u bërë analiza për masa të tjera eventuale që do të frenonin rritjen e shpejtë të shpenzimeve të ushqimit dhe pijeve.

Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë

“Do të presim të përfundojë muaji gusht dhe të marrim të dhëna të sakta nga Enti Statistikor. Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë përgatitemi që në qoftë se do të vazhdojë ky trend të sjellim masa apo të përgatisim në plan i cili do të jetë një zgjidhje afatgjatë që do të mbajë stabil çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe pijeve për qytetarët,” deklaroi Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, masat e qeverisë shpesh i ka cilësuar si jo efikase për shkak se pas përfundimit të tyre çmimet shënojnë përsëri rritje. Qeveria ka thënë se masat e ardhshme eventuale do të jenë afatgjate nga 6 muaj deri në 1 vit. Sipas qeverisë masat e tilla mund të dëmtojnë tregtarët por do të jenë pozitive për qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit