1 në 20 persona në Maqedoninë e Veriut është me nevoja të veçanta, sipas censusit të fundit të popullsisë. Nga 94.412 qytetarë që ballafaqohen me këto sfida, më shumë se çdo i treti prej tyre ka probleme me ecjen. Shoqata “Sos Vita” dhuroi 4 karroca elektrike për personat në nevojë, të donuara nga kompania Halk Bank, falë këtij donacioni 4 personave do t’u mundësohet të lëvizin më lirshëm në hapësirat publike
“Nga themelimi 203 persona janë gëzuar me karroca elektrike nga njerëzit human nga njerëzit që e duan këtë kategori të njerëzve, vetëm për 8 muaj shoqata SOS VITA ka shpërndarë 33 karroca elektrike, viti më i suksesshëm viti 2025, besoj se vitin e ardhshëm do ta kalojmë numrin.”, – deklaroi Ertan Shakiri nga Shoqata e Personave me Nevoja të Veçanta “Sos Vita”.
Karroca invalidore ballafaqohet me pengesa të shumta në hapësirat publike, pasi që infrastruktura në vendin tonë nuk mundëson inkluzivitet të plotë, ky fakt e bën edhe më sfiduese përditshmërinë e personave me nevoja të veçanta në vendin tonë.
“Çdo ditë ballafaqohemi me trotuare të larta, s’kemi kushte për jetesë për persona me aftësi të kufizuara, çdo ditë me sfida jetojmë, a do të kalojmë sot a do të kalojmë nesër, si dihet. Ka shumë rampa nëpër institucione për të hyrë, ashensorë nuk ka për njerëzit me aftësi të kufizuara.”, – tha një person me nevoja të veçanta, Minir Ramadani.
“Kam ardhur sot të pranoj karrocën elektrike për babain tim, i cili është i palëvizshëm, nuk mund të ecë dhe për të është e domosdoshme karroca elektrike. Pasi që është i palëvizshëm, ne si anëtarë të familjes detyrohemi ta mbajmë, ta ngremë që ai të dalë nga shtëpia. Ankohej se është e pamundur për të dalë në hapësira publike, kërkonte vazhdimisht një karrocë.”, – tha një familjar i personit të hendikepuar, Emran Dalip.
“Vështirë është sidomos në Komunën e Çairit. S’ka as trotuare, as asgjë, ajo është e ditur. Kemi pengesa, ato duhet t’i rregullojnë njëherë e përgjithmonë. Si duam të shkojmë në Evropë kur s’kemi trotuare dhe s’kemi asgjë.”, – theksoi Ertan Shakiri nga Shoqata e Personave me Nevoja të Veçanta “Sos Vita”.
Shakiri u bëri thirrje institucioneve dhe krerëve të shtetit që të mos e presin ditën ndërkombëtare për t’i respektuar personat me nevoja të veçanta, por të angazhohen me vepra reale dhe ndihma konkrete.
ARLINDA BAFTIU





