13.8 C
Skopje
Saturday, October 4, 2025

Shkupi i thotë STOP gjenocidit në Gaza: Ky është momenti ku morali ynë është në provë – a jemi vërtet njerëz!

Një marshim proteste u zhvillua sot në Shkup në shenjë solidariteti me popullin palestinez dhe për të dënuar krimet e luftës dhe rrethimin e Rripit të Gazës. Qindra qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën para monumentit “Simfonia e Paqes”, nga ku marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar nga institucionet shtetërore që të mbajnë një qëndrim të qartë kundër gjenocidit në Palestinë.

Organizuar nga nisma “Të gjithë për Palestinën”, protesta bëri thirrje për ushtrim presioni publik ndaj qeverisë që të dënojë pushtimin dhe mizoritë e kryera nga ushtria izraelite në Gaza.

“Sot jemi mbledhur këtu për të shprehur përkrahjen tonë për një popull që prej më shumë se një viti përjeton një gjenocid. Nuk jemi këtu për të diskutuar nëse kjo është luftë apo jo, por për të reaguar ndaj padrejtësisë. Kur ndalohet ndihma humanitare, ushqimore dhe mjekësore për civilët e rrethuar, nuk mund të qëndrojmë në heshtje,” u shpreh njëri nga protestuesit.

Ai theksoi se, ndonëse qytetarët nuk kanë fuqinë për ta ndalur luftën, zëri i tyre duhet të dëgjohet:
“Nuk mund ta ndalim luftën, por mund të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet, për të treguar se edhe në Maqedoni ekziston përkrahje për popullin palestinez.”

Një tjetër pjesëmarrës e përshkroi situatën si një moment vendimtar për ndërgjegjen njerëzore:
“Ky është një moment gjykimi moral për njerëzimin – a jemi vërtet njerëz, a kemi empati, a mund të flejmë të qetë kur fëmijët e pafajshëm po masakrohen?”

Gjatë protestës u lexuan deklarata që theksonin izolimin brutal të Gazës dhe kushtet çnjerëzore të jetesës atje.
“Për më shumë se tetë dekada, populli palestinez jeton në kushte të vdekjes. Në një territor sa Shkupi, jetojnë mbi dy milionë njerëz. 70% e viktimave janë gra dhe fëmijë, dhe që nga tetori i vitit 2023, mbi 50 mijë fëmijë janë vrarë ose plagosur,” tha një protestues tjetër.

Marshi shoqërohej nga brohoritje të fuqishme si: “Liri për Palestinën!”, “Ndal gjenocidin!” dhe “Gaza do të jetojë!”

Një nga pjesëmarrësit theksoi rëndësinë e presionit ndërkombëtar për të ndalur tragjedinë:
“Ne besojmë se Gaza mund të shpëtohet përmes ndërhyrjes së aktivistëve nga mbarë bota. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të 462 aktivistëve të rrëmbyer nga ushtria sioniste ditët e fundit.”

Protesta përfundoi para godinës së Qeverisë, ku qytetarët kërkuan që Maqedonia e Veriut të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës dhe të ndërmarrë veprime konkrete politike në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit