Shkup “Bit Pazar”: Personi i armatosur “terrorizon” një dyqan, një kazino dhe një bastore

Mbrëmja e djeshme ka qenë mjaft e tensionuar në zonën e Bit Pazarit në Shkup, ku një person i armatosur ka sfiduar hapur organet e rendit duke sulmuar tre objekte të ndryshme biznesi në një hark kohë prej më pak se 60 minutash.

​Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme, seria e sulmeve ka nisur rreth orës 21:21, kur personi në fjalë, nën kërcënimin e pistoletës, ka hyrë në një dyqan me qëllim për të marrë xhiron ditore. Pasi nuk ka arritur të marrë paratë, ai ka sulmuar fizikisht pronarin e objektit, 61-vjeçarin me iniciale Z.V., dhe është larguar nga vendngjarja.
​Pa kaluar as gjysmë ore, rreth orës 21:48, i njëjti skenar është përsëritur në një bastore sportive në të njëjtën zonë. Këtë herë, personi i armatosur ka arritur të frikësojë punonjësen dhe të marrë me vete paratë e xhiros ditore.

​Hovi kriminal i autorit nuk është ndalur me aq. Rreth orës 22:25, policia ka marrë denoncimin e tretë, këtë herë nga një kazino po në Bit Pazar. Edhe këtu, agresori ka tentuar të marrë paratë nën kërcënimin e armës, por pasi ka dështuar në qëllimin e tij, është dhënë në arrati.

​Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup njofton se janë ndërmarrë të gjitha masat operative për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve që kanë përhapur shqetësim te bizneset dhe banorët e zonës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit