11.8 C
Skopje
Monday, October 6, 2025

Shkollat fillore të Strugës janë pa ngrohje, mësimi zhvillohet me orar të shkurtuar

Shkollat fillore të Strugës janë pa naftë dhe dru. Për shkak të gjendjes së keqe financiare në të cilën ndodhen dhe llogarive të zbrazëta bankare, nuk mund të shpallin vetë tenderë për furnizimin me lëndë djegëse. Në ditët e para të tetorit, nxënësit në pjesën më të madhe të shkollave ndjekin mësimin në klasa të ftohta, ndërsa që nga sot, në disa nga shkollat orët e mësimit janë shkurtuar për 5 minuta.

“Problemi qëndron në faktin se asnjë shkollë në nivel të Komunës së Strugës nuk ka asnjë denar në llogaritë e veta bankare për ato zëra që kanë të bëjnë me nevojat komunale të shkollave. Kështu që, gjatë përgatitjeve për vitin e ri shkollor, për shpalljen e tenderëve për naftë, energji elektrike dhe dru, nuk kemi fonde të siguruara dhe mendoj se nuk mund të shpallim tender pa u siguruar mjetet në llogaritë bankare”, deklaroi Mustafa Kaliqi, drejtor i SHF “Bashkimi” në fshatin Oktis.

Shkollat në Strugë kanë borxhe për naftë, energji elektrike dhe transportin e nxënësve, për shkak të të cilave një pjesë e transportuesve, që nga fillimi i vitit shkollor, nuk i transportojnë nxënësit deri në shkolla. Kaliqi thotë se vetëm për furnizimin me naftë, borxhi i përgjithshëm i të gjitha shkollave në komunë për vitin e kaluar shkollor 2024/2025 arrin nga 10 deri në 12 milionë denarë. Kompania furnizuese tashmë ka ngritur padi kundër Komunës së Strugës, mëson Alsat.

Nga sektori i Arsimit në Komunën e Strugës për Alsat thonë se ndërkohë janë siguruar 7 milionë denarë për furnizimin me naftë dhe dru. 3 milionë kanë qenë mjetet që u kishin mbetur nga grantet e Ministrisë së Arsimit, ndërsa 4 milionë denarë janë siguruar nga buxheti komunal. Për këtë qëllim është shpallur edhe tender. Ata shpresojnë se deri në shkurt me këtë shumë do të sigurohen sasitë e nevojshme. Kjo vjen pasi Komuna, në fillim të muajit gusht, kishte njoftuar se do t’ia transferojë kompetencat Ministrisë së Arsimit mbi të gjitha shkollat, pasi deri në fund të vitit i kishin mbetur vetëm 985.304,00 denarë për shpenzime materiale, gjë që ishte e pamjaftueshme për sigurimin e kushteve normale për zhvillimin e procesit arsimor dhe se, për shkak të borxheve të pashlyera, të gjitha shkollat do të merrnin paralajmërime para padisë. Por nga Ministria atëherë thanë se Komuna nuk mund t’i transferojë kompetencat në mënyrë të njëanshme tek MASh-i. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit