Florida Doçi, shqiptarja që po udhëheq epokën e inteligjencës artificiale në Microsoft, është përzgjedhur për ballinën e numrit më të ri të revistës Whoman Canada. Ajo po formëson të ardhmen e teknologjisë në Kanada dhe në mbarë botën, duke vendosur theksin tek zbatimi etik dhe human i inteligjencës artificiale.
Florida thekson se inteligjenca nuk ndërtohet vetëm nga kodi dhe të dhënat, por edhe nga dhembshuria, integriteti dhe guximi për të ëndërruar përtej kufijve. Kjo filozofi e ka bërë atë një nga zërat më të dalluar në fushën e A.I., ku punon si kërkuese shkencore në zhvillimin dhe implementimin e teknologjisë në mënyrë të përgjegjshme dhe bashkëpunuese.
Ajo është pjesë e brezit të ri të mendjeve krijuese që ndërthurin teknologjinë me vlerat njerëzore, duke ndikuar në mënyrën si kompanitë e mëdha ndërtojnë produkte që i shërbejnë shoqërisë.
Rruga akademike e Floridës është po aq e jashtëzakonshme: ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Windsor-it, me dy diploma në Shkenca Politike dhe Shkenca Biologjike & Bioteknologji, ndërsa më pas kreu Masterin në Shkenca Ndërdisiplinare të Shëndetit në Universitetin e Ottawa-s, ku aktualisht po përfundon doktoraturën në Shëndetin e Popullatës.
Historia e saj është një shembull frymëzues i fuqisë së dijes dhe përkushtimit. Florida Doçi po frymëzon një brez të ri grash shqiptare që besojnë se mund të ndërtojnë botën e së nesërmes me mendje të hapur dhe zemër të madhe. /KultPlus.com
Lexoni historinë e saj të plotë në Whoman Canada:
https://whoman.ca/dr-florida-doci-shaping-canadas-ai-landscape-with-vision-and-expertise/





