Shemsi Krasniqi, solisti i grupit të rock-folk-ut vendor “Ilirët”, i njohur më shumë si Shemi, ka vdekur në moshën 64-vjeçare.
Burime të Gazetës Express thanë se ai rreth orës 15:00 u gjet i vdekur në banesën e tij pas një sulmi në zemër.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar një ekip i Emergjencës.
Shemi ishte pjesë e grupit “Ilirët” që u formua më 1981. Po atë vit grupi solli këngën e parë të tituluar “Merita”.
“Ilirët” me Shemin në mikrofon ishin një prej grupeve muzikore më aktive gjatë viteve ’80 dhe ’90.
Shemi njihet edhe për këngën “Rini Thuaja Këngës”, me të cilën grupi mori pjesë në Netët e Klipit Shqiptar 13, në vitin 2014.
Në vitin 2012, “Ilirët” publikuan albumin “Moj Kosovë”.
Kënga “Qaj Mirvete” erdhi më pas, duke u bërë gjithashtu një prej më të dëgjuarave.





