Një ndërtesë shtatëkatëshe është shembur mëngjesin e sotëm në provincën Kocaeli, në veriperëndim të Turqisë.
Sipas mediave të huaja, të paktën pesë persona kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Ekipet e kërkim-shpëtimit ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë pa ndërprerje për të nxjerrë të mbijetuarit. Guvernatori i Kocaelit, İlhami Aktaş, deklaroi se shkaku i shembjes ende nuk është përcaktuar, ndërsa theksoi se prioritet mbetet shpëtimi i personave të bllokuar.
“Pesë anëtarë të një familjeje ndodheshin brenda ndërtesës në momentin e incidentit”, tha guvernatori Aktaş.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, njoftoi se në operacionin e shpëtimit janë angazhuar 147 punonjës, përfshirë 80 efektivë, si dhe ekipe nga organizatat joqeveritare dhe bashkitë. Për kërkimet po përdoren tetë pajisje zbulimi, dy dronë dhe 52 automjete.
Sipas hetimeve paraprake, shembja mund të jetë shkaktuar nga punime nëntokësore që po kryheshin pranë godinës.





