Kryeshefi i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka, i ka hedhur poshtë pretendimet se vërshimi në një punishte për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka mundur të jetë shkaktuar nga dora e njeriut.
Punishtja për ndërtimin e urës së dytë pranë urës kryesore mbi lumin Ibër – i cili e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun e banuar me serbë – u vërshuan plotësisht të premten pas mesnate, duke shkaktuar dëme materiale.
Të shtunën kishte pretendime se rrjedha e madhe e ujit nga liqeni i Ujmanit në lumin Ibër vinte “si pasojë e dorës së njeriut”.
Punëkryerësi i projektit për ndërtimin e kësaj ure, Jahir Nimani, pretendoi se vërshimi në vendpunishte nuk u shkaktua nga kushtet natyrore.
“E kam thënë se ajo është bërë nga dora e njeriut. Është verifikuar nga institucionet kompetente, nga Policia që kanë qenë te liqeni i Ujmanit dhe kanë konfirmuar se urdhri është dhënë nga Prishtina për ta lëshuar ujin”, tha Nimani për media të shtunën.
Megjithatë, Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka elemente të veprës penale lidhur me këtë vërshim.
Edhe Mujka i hodhi poshtë pretendimet, duke ngulur këmbë se “duhet të sqarohet se nuk është dora e njeriut që ka krijuar dëmin, por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë”.
Ai shpjegoi se në punishte, për shkak të punimeve, ishte krijuar një fyt i ngushtë i cili nuk ka mundur ta përcjellë nivelin e ujit.
“Shkak i kësaj rritje të nivelit është sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës për shkak të reshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit si dhe të rrëshqitjes së kanalit te Zubin Potoku dhe nevojës emergjente që uji i tepërt nga kanali të bartet në lumë”, tha Mujka.
Sipas tij, mirëmbajtja e nivelit minimal të ujit në lumin Ibër gjatë verës dhe vjeshtës ndryshon maksimalisht dhe “fatkeqësisht mund të ndodhë edhe një situatë e tillë sikur ajo mbrëmë”.
Mujka njoftoi se niveli i ujit u stabilizua brenda një ore dhe se punimet vazhduan të shtunën me sanimin në kanalin kryesor, për ta mbajtur sa më në kontroll nivelin e ujit.
Ndërtimi i urës, sipas Mujkës, nuk është rrezikuar asnjëherë.
Ai gjithashtu bëri thirrje që rasti të mos përdoret “as për qëllime politike apo elektorale sepse nuk ka fare të bëjë me to. Është thjesht çështje operacionale”.
Ndërtimi i kësaj ure për këmbësorë në Mitrovicë nisi në verë, paralelisht me ndërtimin e një ure tjetër për automjete, e cila u përfundua qysh në fund të gushtit dhe u lëshua për qarkullim.
Autoritetet kosovare e kishin filluar ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë kundërshtimet nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare.
Ato kishin premtuar se ndërtimi i tyre, në vlerë rreth 3 milionë euro, do të mbaronte në vjeshtë. /REL





