8.8 C
Skopje
Wednesday, October 29, 2025

SHBA-ja e heq Millorad Dodikun nga lista e zezë

Shtetet e Bashkuara i kanë hequr nga lista e sanksioneve ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodikun, si dhe anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq, njoftoi Departamenti i Thesarit të mërkurën.

Përveç tyre, nga lista e zezë janë hequr dhe anëtarët e familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë.

Dodik, presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ishte sanksionuar dy herë për shkak shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.

Zyra amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha shpjegime pse i hoqi ata nga lista e sanksioneve.

Dodiku – të cilit iu hoq mandati si president i entitetit serb pas dënimit me burgim për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje, Christian Schmidt – tha se e falënderon presidentin amerikan, Donald Trump, për vendimin e OFAC-it.

“U jam mirënjohës presidentit Donald Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij për korrigjimin e një padrejtësie të madhe që iu bë Republikës Sërpska, përfaqësuesve të saj dhe familjeve të tyre. Një padrejtësi e shkaktuar nga administratat e Obamës dhe Bidenit”, tha Dodik në X.

Ai tha se vendimi “nuk është thjesht një korrigjim ligjor, por edhe një rivendosje morale e së vërtetës mbi Republikën Sërpska dhe mbi të gjithë ata që i kanë shërbyer me nder”, shtoi ai.

“Edhe një herë është bërë e qartë se akuzat ndaj nesh nuk ishin asgjë tjetër veçse gënjeshtra dhe propagandë – themeli i kaosit të krijuar nga Christian Schmidt, një kaos që tani duhet zhbërë”, shtoi ai.

Edhe 48 individë dhe subjekte juridike, që më parë ishin sanksionuar sipas Programit të Sanksioneve për Ballkanin Perëndimor, u hoqën nga lista e sanksioneve.

Kush tjetër u hoq nga lista e zezë?

Javë më parë, OFAC hoqi nga lista e sanksioneve katër individë nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Sërpska, të cilët ishin përfshirë në organizimin e festimeve të ditës antikushtetuese të 9 janarit.

Bëhet fjalë për sanksione për Danijela Dragiçeviq, Jelena Pajiq Bastinac, Dijana Millankoviq dhe Goran Rakoviq.

Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet e Republikës Sërpska nënshkruan një kontratë me firmën ligjore amerikane “Zell & Associates International Advocates” për të lobuar që SHBA-ja t’i heqë sanksionet kundër Millorad Dodikut dhe Zheljka Cvijanoviqit, të promovojnë dialogun midis administratës së Republikës Sërpska dhe Donald Trumpit, si dhe të rishikojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe rolin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.

Sipas dokumentit të regjistrimit në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (RFE), firma ligjore do t’i arrijë këto qëllime në SHBA nëpërmjet komunikimit me përfaqësuesit e autoriteteve lokale ekzekutive dhe legjislative, si dhe sektorin joqeveritar.

Deri më tani, kontratat e Republikës Sërpska me firma lobimi dhe avokatie në SHBA kanë të bëjnë kryesisht me promovimin e investimeve dhe këshillat ligjore, dhe këto shërbime kanë kushtuar dhjetëra mijëra dollarë në muaj./rel

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit