I strukur në një cep të rrugës, me kitarën që i ka qenë shoqe gjithë jetën, Shain Bekir sfidon të ftohtin dhe heshtjen e qytetit. Në moshën 70-vjeçare, ai vazhdon të luajë jo për festë, por për mbijetesë, duke shpresuar se tingujt e muzikës së tij do të prekin jo vetëm kalimtarët, por edhe institucionet.
Vitin e Ri nuk e ka festuar asnjëherë, megjithatë përpiqet që të nesërmen e ndërrimit të viteve të blejë aq sa mundet, vetëm që nipërit e mbesat të kenë diçka në tryezë. Artisti i rrugës, Shain Bekir, prej shumë vitesh performon në rrugët e Shkupit për të siguruar jetesën. Ai thotë se ka rritur tetë fëmijët e tij vetëm nga tingujt e kitarës.
“Unë vitin e ri se kam festuar asnjëherë por përsëri blej gjëra pasi të nesërmen vijnë fëmijët dhe blejmë ushqim aq sa mundemi. Sa e ke të vështirë që të jetosh si artist i rrugës? Shumë e vështirë, unë erdha në orën 11:00 dhe ja vendosa ca para të miat 100 denarë dhe 50 denarë këtu që të mos me hedhin vetëm nga 10 denarë por jemi falënderues”, deklaroi Shain Bekir – Artist i rrugës.
Artisti i rrugës apelon institucionet që t’i mundësojnë leje pune, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar ekzistencën.
”Kërkojmë që të na jepet leje, ja këtu e kam kërkesën që e kam dërguar, dhe të na jepet leja pasi nuk i dihet se a do ta pres vitin tjetër pasi jam 70 vjeçar dhe ne jemi të Maqedonisë edhe pse me nacionalitet jemi romë, pra le të shohin mes gishtash në këto festa se edhe ashtu nuk mund të blejmë asgjë pasi një qese e vogël kushton 4 mijë apo pesë mijë denarë”, tha Shain Bekir – Artist i rrugës.
Pavarësisht vështirësive dhe moshës së thyer, Shain Bekir vazhdon të dalë çdo ditë me kitarën e tij në rrugët e Shkupit, duke besuar se muzika është mënyra e vetme për të mbijetuar dhe për të bashkuar njerëzit. Ai shpreson që apeli i tij të dëgjohet nga institucionet, në mënyrë që artistët e rrugës të mund të punojnë me dinjitet, veçanërisht në këto ditë festash. /Alsat.mk



