Më 24 shkurt të vitit 1871, lindi në Manastir, atdhetarja Sevasti Qiriazi Dako, e cila luajti një rol të madh në arsimimin e vajzave në gjuhën shqipe.
Në rininë e saj ajo mësoi disa gjuhë (greqisht, bullgarisht, vllahisht, turqisht, anglisht), por në shtëpi flisnin vetëm shqip. Sevastia dhe familja e saj ranë në kontakt të ngushtë me patriotët shqiptarë, si dhe me misionarët protestantë amerikanë, të cilët drejtonin një shkollë dhe kryenin shërbesa fetare pranë shtëpisë së tyre në Manastir. Sevastia u regjistrua në shkollën e amerikanëve dhe u diplomua me ekuivalentin e një diplome të shkollës së mesme, më korrik 1888. Sevastia ishte gruaja e parë shqiptare që ndoqi studimet e larta në auditorin e “Robert College” në Stamboll. Ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazit të studionte në kolegjin me emër “Robert Kolegj” në Stamboll e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891. Sevasti Qiriazi u bë gruaja e parë shqiptare që të përfundonte një arsim të lartë. Qëllimi i saj për të ndjekur kolegj ishte të përgatitej për të ndihmuar vëllain e saj Gjerasim të themelonte një shkollë për vajza në Shqipëri. Sevasti identifikoi ndikuesit e saj kryesorë në kolegj si: Clara Hamlin (drejtoresha e kolegjit dhe vajza e Cyrus Hamlinit), Florence Fensham, Mary Mills Patrick, Ida Prime, Caroline Borden dhe familja bullgare Grandinaroff. Gjerasim Qiriazi ftoi vëllezërit Frashëri (Abdyl Frashëri, Sami Frashëri dhe Naim Frashëri) për të marrë pjesë në diplomimin e Sevastisë.