Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, konfirmoi se vizitoi ishullin e Jeffrey Epsteinit në vitin 2012, duke mohuar pretendimet e mëparshme se kishte ndërprerë çdo kontakt me abuzuesin seksual vite më parë.
Të martën në Kongresin amerikan, Lutnick deklaroi se ‘kam ngrënë drekë me të gjatë një pushimi familjar. Me mua ishin gruaja, katër fëmijët dhe dadoja. Hëngrëm drekë në ishull për rreth një orë”.
Kjo vizitë është dokumentuar në dosjet e Epsteinit të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Disa ligjvënës kanë kërkuar dorëheqjen e Lutnickut, por Shtëpia e Bardhë tha të martën se ai ka mbështetjen e plotë të presidentit amerikan, Donald Trump.
Lutnick kishte deklaruar më parë se kishte ndërprerë lidhjet me Epsteinin në vitin 2005, pas disa aludimeve seksuale që financieri kishte bërë për shtëpinë e tij. Në dëshminë e fundit, Lutnick tha se e kishte takuar Epsteinin edhe dy herë gjatë 14 viteve pasuese.
Dokumentet tregojnë se vizita në ishull ndodhi më 23 dhjetor 2012, gati katër vjet pas dënimit të Epsteinit për abuzim seksual. Lutnick tha se nuk e kujtonte arsyen e vizitës, ndërsa takimi tjetër një vit e gjysmë më vonë kishte qenë një orë i shkurtër. Ai theksoi se gjatë 14 viteve nuk kishte pasur marrëdhënie të afërta me Epsteinin.
Dosjet e Epsteinit kanë shkaktuar reagime të mëdha në SHBA dhe Evropë, për shkak të përfshirjes së figurave të larta në raportet me financierin e ndjerë.
Epstein vdiq në një burg të New Yorkut në gusht 2019, ndërsa priste gjykimin për trafikim seksual.



