Saveski: Nuk kam pasur kontakte me Qeverinë për zgjedhjen, por bashkëpunimi është i domosdoshëm për reformat në prokurori

Prokurori i ri i shtetit vlerëson se kjo qasje nga Qeveria kishte për qëllim të shmangë dyshimet për ndikim politik në zgjedhjen e tij. Prokurori i ri i shtetit, Nenad Saveski, thotë se gjatë procesit të përzgjedhjes nuk ka pasur asnjë kontakt me Qeverinë, as me kryeministrin.

Në një intervistë për “360 gradë” në MRT 1, në pyetjen e drejtpërdrejtë nëse ishte kontaktuar nga Qeveria apo nga kryeministri, ai u përgjigj shkurt: “Jo.”

Ai shton se edhe vetë është befasuar nga një zhvillim i tillë, por e vlerëson si shenjë të kujdesit për integritetin e procesit.

“Ndër të shumtët që u çuditën, isha edhe unë. Të jem i sinqertë, prisja të më thërrisnin nga aspekti profesional, si dikush që mund të propozohej apo të merrej në konsideratë për propozim. Mendoja se ishte krejtësisht legjitime të më ftonin dhe të kishim një takim ku unë do të prezantoja idetë e mia”, tha Saveski.

Ai vlerëson se kjo qasje e Qeverisë kishte për qëllim të shmangte dyshimet për ndikim politik në kandidaturën e tij.

“Unë kështu e shoh dhe sinqerisht kjo më jep kënaqësi të madhe dhe besoj se qëllimi i Qeverisë me këtë qasje është të dërgojë mesazhin se nuk duan të lënë hapësirë për dyshime se unë jam propozimi i tyre pas ndonjë takimi apo prapaskene”, deklaroi Saveski.

Sa i përket komunikimit të ardhshëm me institucionet, prokurori i shtetit paralajmëron se vetë do të iniciojë takime me përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, por vetëm në drejtim të bashkëpunimit institucional dhe reformave.

“Shikoni, asnjë institucion nuk mund të funksionojë i izoluar. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve është i domosdoshëm; vetë sistemi ‘checks and balances’, mbi të cilin është ndërtuar rendi ynë juridik, kërkon bashkëpunim ndërinstitucional. Unë personalisht do të kërkoj takim me kryeministrin dhe ministra të caktuar me të cilët do të dëshiroja të bisedoja pasi të analizoj gjendjen në prokurori”, tha Saveski.

Megjithatë, ai thekson se në këto takime nuk do të diskutohet për raste konkrete.

“Sigurisht që jo. Sigurisht që jo”, u shpreh Saveski.

Sa i përket kritikave të kryeministrit ndaj sistemit të drejtësisë, prokurori i shtetit thotë se nuk do t’i komentojë drejtpërdrejt, por konsideron se çdo kritikë duhet të analizohet.

“Çdo kritikë, sipas meje, është vetëm një mënyrë për të parë se ku jemi, ku duhet të korrigjohemi dhe në cilin drejtim duhet të vazhdojmë”, tha Saveski, duke theksuar se ato nuk duhet të ndikojnë në pavarësinë e prokurorisë, por të shërbejnë si bazë për përmirësim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit