Sali: Reformat dhe integrimi në tregun e BE-së prioritet në mbledhjen e KSA-së

Ministri për Çështje Evropiane dhe Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, mori pjesë në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA), e cila u kryesua nga zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktoria Trajkov. Në takim u bë një vlerësim i progresit të arritur në procesin e integrimit evropian dhe u përcaktuan prioritetet për periudhën e ardhshme.

Në takim u rikonfirmua përkushtimi për përparim të qëndrueshëm në rrugën evropiane, me fokus në ofrimin e rezultateve konkrete nga reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe funksionimit të institucioneve demokratike.

Në këtë kontekst, u theksua se integrimi gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së tashmë po sjell përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset. Nisma si SEPA, WiFi4WB, si dhe projektet e ardhshme në fushën e roaming-ut dhe konformitetit industrial, po kontribuojnë në uljen e kostove, përmirësimin e lidhjes dhe hapjen e mundësive të reja për kompanitë dhe të rinjtë.

Këta hapa tregojnë se integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv afatgjatë politik, por një proces që tashmë sjell përfitime konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Maqedonia e Veriut mbetet e fokusuar në reformat, forcimin e institucioneve dhe përparimin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, theksohet në kumtesën e Ministrisë për Çështje Evropiane.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit