Sakrifica dhe qëndresa: rrëfimi i Mendi Qyrës për demonstratat studentore

Kryetari i Strugës, Mendi Qyra, ka ndarë një rrëfim personal për demonstratat studentore të vitit 1981, duke kujtuar ngjarjet që, sipas tij, shënuan një kapitull të ndritur të historisë kombëtare.

“Dyzet e pesë vjet më parë lindi një kapitull i ndritur i historisë sonë. Kujtesa më kthen te marsi i vitit 1981, kur shpërtheu revolucioni studentor.

Më 11 mars, ndodhesha në mensën e studentëve kur një grup studentësh përmbysën tavolinat, duke ndezur protestën. Me parullën ‘Duam kushte më të mira për studentët’, marshuam nëpër Prishtinë dhe qëndruam deri në orët e para të mëngjesit, duke artikuluar kërkesat tona.

Më 12 mars gjithçka u duk e qetë, por revolucioni sapo kishte filluar.
Më 26 mars, mijëra studentë u mblodhën në Qendrën Studentore, duke protestuar kundër kushteve të rënda dhe duke artikuluar kërkesën ‘Kosova Republikë’. Demonstratat vazhduan deri pasdite, kur policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe dhunë.

Në përpjekje për t’u shpëtuar, u strehuam në një barakë, por policia hodhi gaz edhe brenda. Duke kërkuar dalje, u hodha nga dritarja dhe u rraha deri sa humba vetëdijen. Me lëndime të rënda, u dërgova në burg bashkë me miq të plagosur, ndërsa më pas, me insistimin e Nexhmi Menës, u transferuam në Spitalin e Prishtinës.

Pas demonstratave të 1, 2 dhe 3 prillit, situata u përkeqësua edhe më shumë. Spitali u mbush me të plagosur, madje edhe fëmijë.

Pas daljes nga spitali, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, u ktheva me vështirësi në Strugë. Më 17 dhjetor 1982 u arrestova dhe u dënova me burg në Ohër, ku shumë veprimtarë u mbajtën në kushte çnjerëzore.

Edhe pas lirimit, persekutimi vazhdoi: u përjashtova nga fakulteti, m’u mohua e drejta e punës dhe u largova nga arsimi për arsye politike.

Megjithatë, këto përvoja na forcuan. Nga ajo kohë mbaj bindjen se: ‘Kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë dhe njerëzit e fortë sjellin kohë më të mira.’

Sot jam krenar për atë që kam bërë. Po të kthehesha pas, do ta bëja sërish.
Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë,” ka deklaruar Qyra.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit