Kuvendi sot do ta mbajë vazhdimin e seancës së 76-të ku në rend dite është votimi për Propozim- ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për kundërvajtje me procedurë të shkurtuar, ligji i fundit i nevojshëm që nga 1 shkurti të vihet në funksion sistemi për regjistrimin automatik dhe sanksionimin e shkeljeve në komunikacion të njohur si “Safe city” (Qytet i sigurt).
Mbështetja e nevojshme prej dy të tretash për ligjin për të cilin debati ka përfunduar u sigurua në takimin e liderëve javën e kaluar të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski. Vetëm LSDM-ja opozitare paralajmëroi se nuk do të votojë për ndryshimet e Ligjit.
Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian, Rina Ajdari në konferencën për shtyp më 20 janar deklaroi se do të votojnë për Ligjin për kundërvajtje në seancë. Ajo theksoi se nëse vërejtjet e tyre nuk implementohen, në të ardhmen do të paraqesin propozim me ndryshime të reja në Ligj.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, pardje deklaroi në një konferencë shtypi se megjithëse projekti “Qyteti i sigurt” filloi gjatë kohës së tyre, tani nuk do ta mbështesin për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të të dhënave personale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve nga opozita në fillim të kësaj jave, deklaroi se nëntë jetë u shpëtuan gjatë periudhës testuese “Qyteti i sigurt” krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur u regjistruan 11 raste të vdekjeve në aksidente të komunikacionit në territorin e SPB Shkup.
Zgjidhjet e propozuara ligjore pritet të forcojnë sigurinë në komunikacion duke vendosur një procedurë të veçantë për shkeljet e sigurisë në komunikacionin rrugor duke përdorur mjete teknike dhe pajisje regjistrimi përmes sistemit “Qytet i sigurt”. Kjo nënkupton sanksionim të shpejtë dhe efikas të shkelësve dhe vendosje e sanksioneve që njëherësh do të ndikojë në parandalimin e përgjithshëm në sferën e sigurisë në trafik.



