Kandidati për kryetar të komunës së Likovës nga radhët e VLEN, Nexhmedin Sadiku, ka zhvilluar një takim me të rinjtë e kësaj komune, në prani të zëvendëskryeministrit dhe njërit prej liderëve të VLEN-it, Arben Fetai.
Në një atmosferë të mbushur me energji e entuziazëm rinor, Sadiku bashkë me ekipin e kandidatëve për këshilltarë, në krye me bartësin e listës Lirim Jashari, dëgjuan nga afër idetë, vizionet dhe shqetësimet e të rinjve për të ardhmen e Likovës.
Sadiku u zotua se si kryetar i ardhshëm i komunës do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e funksionimit të saj, duke vendosur të rinjtë në qendër të zhvillimit dhe duke u krijuar kushte reale për arsim, punësim dhe pjesëmarrje aktive në vendimmarrje.
“E ardhmja e Likovës është në duart e të rinjve tanë dhe unë jam i vendosur të jem zëri dhe mbështetja e tyre”, theksoi Sadiku.