Pas disa vitesh rënie, po rritet mbështetja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por përkundër kësaj, më i vogël është numri i atyre që mbështesin ndryshimet kushtetuese. Këtë e tregoi Hulumtimi i opinionit publik për aderimin e Maqedonisë në BE nga Instituti për Demokraci.
“Rezultatet shënojnë një rritje të konsiderueshme të mbështetjes për Bashkimin Evropian, veçanërisht tek qytetarët etnikë maqedonas, ajo është e lartë sigurisht, 71 për qind nuk është një shifër e parëndësishme, por duke pasur parasysh se arrinte deri në 90 për qind në fillim të këtij mijëvjeçari, kjo mbështetje megjithatë ka pësuar rënie. Anketa tregon se ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme, por jo prioritet. Rezistenca e qytetarëve tanë ndaj ndryshimeve kushtetuese është e madhe. Megjithatë, realiteti objektiv nuk është krejtësisht i tillë. Të gjithë pajtohemi se ndryshimet kushtetuese do të na hapin derën, por garancitë nëse ky proces më tej do të jetë objektiv janë subjekt i perceptimeve të ndryshme”, tha Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.
“Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, rezultatet na japin një nxitje të madhe, përkatësisht përqindja e popullsisë që është për aderim është rritur në 71, që është një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin 2024. Gjithashtu, më e madhe është mbështetja tek të rinjtë, që do të thotë se është shumë e rëndësishme që edhe të rinjtë e mbështesin, domethënë të rinjtë tregojnë se kjo është e ardhmja”, u shpreh Ambasadori evropian Mihalis Rokas.



