10.8 C
Skopje
Sunday, October 26, 2025

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale më 2 nëntor, garë në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet saktësisht pas një jave, më 2 nëntor. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), rrethi i dytë do të zhvillohet në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Kundërkandidatët për postet e kryetarëve të komunave pritet ta intensifikojnë këtë javë fushatën e tyre me tubime dhe takime me qytetarët.

Këtë javë pritet të zhvillohet debat mes dy rivalëve për Qytetin e Shkupit – Orce Gjorgjievski nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Amar Mecinoviq nga E Majta (Levica). Në fokus të fushatës së tyre gjatë javës së kaluar ka qenë problemi i mbeturinave dhe mënyra e grumbullimit të tyre në kryeqytet.

Kandidati i VMRO-DPMNE-së për Shkup, Orce Gjorgjievski, deklaroi se me një organizim të mirë problemet e qytetit mund të zgjidhen shpejt dhe se në 72 orët e para pas zgjedhjeve do të nisë një aksion i madh pastrimi, ku do të përfshihen të gjitha komunat, ndërmarrjet publike dhe kompanitë shoqërisht të përgjegjshme.

Nga ana tjetër, Mecinoviq prezantoi një plan për riformimin dhe modernizimin e Ndërmarrjes Publike Komunale, duke propozuar zgjidhje inovative për trajtimin e mbeturinave, që sipas tij tashmë janë të suksesshme në disa qytete evropiane.

Afatet zgjedhore janë gjithashtu në përfundim. Mbrëmë skadoi afati për paraqitjen e personave të sëmurë dhe të pafuqishëm për votim në shtëpi, ndërsa pas dy ditësh përfundon edhe afati për personat në arrest shtëpiak. Këta persona, së bashku me të burgosurit dhe banorët e shtëpive të të moshuarve, votojnë një ditë para zgjedhjeve – më 1 nëntor.

Nga KSHZ informojnë se është në vazhdim procesi i regjistrimit të vëzhguesve për rrethin e dytë të zgjedhjeve.

KSHZ njoftoi gjithashtu se të enjten, në një seancë publike, ka refuzuar të gjitha 57 ankesat e dorëzuara për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale.
Prej tyre, 37 ankesa kishin të bëjnë me procedurat e përcaktimit dhe përmbledhjes së rezultateve të votimit, ndërsa 20 të tjera me procesin e vetë votimit.

Në rrethin e parë më 19 tetor, zgjedhjet lokale përfunduan në 43 komuna, ndërsa në Gostivar, Mavrovë-Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, ku pjesëmarrja e votuesve nuk arriti një të tretën e numrit të përgjithshëm të regjistruar, procesi i zgjedhjeve për kryetar komune do të përsëritet brenda 60 ditëve nga data e publikimit të rezultateve përfundimtare

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit