Qytetarët e 33 komunave, në mesin e të cilave edhe Qyteti i Shkupit votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale për të zgjedhur krerët e komunave të tyre. Votimi përsëritet dy javë pas ditës së zgjedhjeve, në komunat ku nuk u arrit zgjedhja e kryetarit në rrethin e parë zgjedhor. Në këto komuna, sipas Kodit zgjedhor, në balotazh përballen vetëm dy kandidatët me numër më të madh të votave nga rrethi i parë zgjedhor.
33 komuna në rrethin e dytë
1. Aerodrom
2. Bogovinë
3. Bërvenicë
4. Vallandovë
5. Vinicë
6. Dibër
7. Debarcë
8. Demir Kapi
9. Dojran
10. Dollnen
11. Zërnovcë
12. Karposh
13. Kërçovë
14. Konçe
15. Koçan
16. Krushevë
17. Kumanovë
18. Llozovë
19. Makedonska Kamenicë
20. Makedonski Brod
21. Mogilla
22. Negotivë
23. Probishtip
24. Rankovce
25. Rosoman
26. Strugë
27. Studeniçan
28. Tetovë
29. Qendër
30. Qeshinovë Oblishevë
31. Çuçer Sandevë
32. Shuto Orizare
33. Qyteti i Shkupit
Në 3 vendvotime në Shuto Orizare do të rivotohet edhe për këshilltarë, pas ankesave nga pjesëmarrësit në zgjedhje. Bëhet fjalë për vendvotimin 2961, 2962 dhe 2966. Kurse në të gjithë komunat e tjera dhe në Qytetin e Shkupit, KSHZ-ja konstatoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjes së këshilltarëve.
Votimi për kryetarët e komunave ka përfunduar në 44 komuna dhe rezultatet janë zyrtarizuar. Zgjedhjet nuk ishin të suksesshme në katër komunat, Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë ku nuk u arrit censusi. Zgjedhje të reja në këto komuna duhet të caktohen në afat prej 60 ditësh pas rezultateve përfundimtare. Në përsëritjen e zgjedhjeve, nuk parashikohet census.
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të tetat që nga pavarësia e vendit në të cilat zgjidhen kryetarë bashkish dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në zgjedhjet lokale nuk ka votim jashtë vendit, por shtetasit që jetojnë dhe punojnë jashtë dhe që kanë të drejtë vote, mund ta ushtrojnë atë në komunën ku kanë adresë banimi brenda vendit./Alsat.mk





