Rreth tre orë zgjati takimi i sotëm i liderëve të partive parlamentare lidhur me temat më të nxehta në shtet

Rreth tre orë zgjati takimi i sotëm i liderëve të partive parlamentare lidhur me temat më të nxehta në shtet. Në mungesë të partisë opozitare LSDM, partitë, pothuajse për të gjitha çështjet nuk arritën marrëveshje, por vetëm u dakorduan që të vazhdojë diskutimi. Tema më e nxehtë, natyrisht ishte çështja e shfuqizimit të Qeverisë teknike, e cila mbase ishte dhe arsyeja kryesore që opozitarja LSDM e refuzon dhe për këtë e bojkotoi takimin.

Idenë e Mickoskit e mbështesin partnerët qeveritar VLEN dhe ZNAM por dhe opozitarja e Majta. Madje, sipas Kasamit nëse LSDM refuzon të pajtohet për ta hequr qeverinë teknike, atëherë modaliteti të jetë që qeveria teknike të mos shfuqizohet në zgjedhjet e ardhshme, por pas atyre. Kjo ide, për Mickoskin është e pranueshme.

Ndërkohë Ali Ahmeti si temë më të rëndësishme e nënvizoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese me qëllim të hapjes së procesit eurointegrues, duke lënë të nënkuptohet se do t’i mbështesë ligjet reformuese. Ka dhënë ide edhe si duhet të duket modeli zgjedhore, respektivisht duhet të ketë një njësi zgjedhore, me prag prej 5% dhe lista të hapura. Megjithatë, Ahmeti nuk u ka shkuar deri në fund. Meqë qëndrimet e tija kërkon që Mickoskit t’ia thotë sy më sy, jo në prani të liderëve të tjerë.

Lidhur me Kodin Zgjedhor, Apasiev nga e Majta ka hapur çështjen e financimit të reklamave, meqë në zgjedhjet e fundit kishte mbetur pa para. Megjithatë, në takim është hapur edhe çështja e bllokadës së Avokatit të Popullit, meqë nuk ka shumicë badinteri për të propozuarin e VLEN-it, Faton Selami. Të gjithë janë pajtuar se duhet kuadër profesional, ndërsa Dimitar Apasiev ka shkuar një hap para, duke propozuar që si asnjëherë më parë, këtë post ta udhëheqë një përfaqësues i komunitetit rom.

Për të gjitha temat që ka hapur VMRO-DPMNE, ZNAM ka premtuar amin, sidomos për ligjet reformuese që kanë të bëjnë me fushën e gjyqësorit.

Takimin e liderëve, të gjithë e vlerësuan konstruktiv, megjithatë nuk ishte produktiv të paktën për çështjet që priteshin të marrin përgjigje precize. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit